Porti i Shëngjinit shërben kryesisht si port peshkimi dhe zbarkimi për mallra, por në bazë të marrëveshjes së arritur ai do të jetë një qendër e madhe pritje për refugjatët, në ambiente të veçanta pritjeje për femra dhe meshkuj.
Autoritet italiane do të kujdesen për procedurat e zbarkimit dhe identifikimit.
“Shëngjini eshte bërë më herët pritës i refugjatëve afgane, por emigrantët afrikanë nuk do të qëndrojnë këtu. Porti do të shërbejë si tranzit, për një periudhë të shkurtër 2-3 ditore, deri në përfundimin e procedurave të nevojshme me kontrollin, më pas do të transportohen për në kampin e Gjadrit.
Fshati Gjadër ndodhet rreth 25 km larg nga Shëngjini, me një reliev të kombinuar fushor dhe kodrinor.
“Kjo është zona ushtarake e Gjadrit dhe aktualisht territori është nën administrim nga ministria e Mbrojtjes. Vitin e ardhshëm këtu do të ndërtohet kampi për refugjatët afrikanë. Zona do të kthehet kështu në vendstrehim të përkohshëm për emigrantët.”
Për ngritjen e kampeve do të shfrytëzohet një pjesë e territorit që ruhet nga ushtria.
Burime i thanë Abc News, se pista e aerodromit që ndodhet pranë godinave të ish bazës ushtarake, nuk do të do të shfrytëzohet në funksion të kampit.
Pranimi i emigrantëve ka shkaktuar diskutime të shumta. Banorët e Gjadrit kanë mendime të ndryshme. Disa janë skeptikë, ndërsa të tjerë thonë se do t’i mirëpresin, sikurse kanë pritur shqiptarët ndër vite.
“Të vinë do t’i mirëpresim. Por duhet të ketë edhe më shumë informacion.”
“Dakord jemi, nuk ka asnjë problem. Edhe ne kemi emigrantë, në Itali, dhe shtete të tjera kudo. Ata janë në nevojë.”
“Ne do t’i mirëpresim këtu, kështu kemi ikur edhe ne dhe na kanë hapur dyert. Shqiptarët janë nëpër botë.”
Në Shqipëri nuk do të mbërrijnë më shumë se 3 mijë emigrantë në të njëjtën kohë, ndërsa përgjatë një viti do të jenë 36 mijë. Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil. Për sigurinë brenda kampit do të jenë përgjegjëse autoritetet italiane, ndersa shteti shqiptar do të kujdeset për sigurinë jashtë rrethimit.