Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim publikoi së fundmi raportin e Tranzicionit për vitin 2023, ku ndër të tjera e vë theksin te masat dhe politikat mbështetëse të qeverisë, që nga Paketat e Rezistencës Sociale të cilat i quan gjithëpërfshirëse, deri te rritja e fundit e pagave.
“Pas implementimit të dy paketave gjithëpërfshirëse të Rezistencës Sociale, me qëllimin për të mbrojtur familjarët dhe bizneset nga rritja e cmimeve, autoritetet filluan të reformonin dhe të rrisnin pagat në sektorin publik dhe rritën pagën minimale me 18% në 2023”, shkruan BERZH.
Ndërkohë që vlerëson se rritja ekonomike e Shqipërisë vijon në vitin 2023, BERZH ndalet te suksesi i vendit me sektorin e turizmit.
“Sektori i turizmit regjistroi performancën më të mirë, në terma të mbërritjes së turistëve të huaj dhe netë-qendrimeve. Sektori pritet të ketë një tjetër performancë të lartë gjatë këtij viti, ku 8 muajt e parë tregojnë 27% rritje në numrin e mbërritjeve të turistëve të huaj”, thuhet në raport.