Tiranë, 8 nëntor – Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu ka prezantuar në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2024” për arsimin dhe sportin. Duke e konsideruar rritje historike, Ministrja Manastirliu ka bërë me dije se projekt-buxheti i vitit 2024 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit parashikohet në vlerën 52 miliard e 223 milion lekë, me një shtesë fondi prej 5 miliard e 49 milion lekë ndaj buxhetit fillestar të vitit 2023, ose një rritje prej 10.7%.

“Ky është buxheti më i lartë historik për arsimin, i cili mbështet politikën e rritjes së pagave për mësuesit, rritjen e investimeve në infrastrukturën arsimore dhe atë digjitale në shkolla, zgjeron financimin për programet e arsimit të lartë, programet e ndërkombëtarizimit dhe kërkimit shkencor dhe siguron mbështetjen e studentëve. Buxheti 2024 do të mbështesë sportin duke investuar në disiplinat sportive në shkolla, programet e masivizimit të sportit dhe sportit elitar”, – tha Ministrja Manastirliu.

Fondi i rritjes së pagave për mësuesit për vitin 2024 parashikohet në shumën 4 miliard lekë, duke projektuar buxhetin e MAS në shumën 56 miliardë e 223 milion lekë ose 9 miliard e 49 milion lekë më shumë se buxheti fillestar i vitit 2023.
Ministrja Manastirliu nënvizoi se me buxhetin e 2024 do të ketë një rritje domethënëse të pagave për 30 mijë mësues, teksa tha se do të vijojë mbështetja e dedikuar për mësuesit ndihmës, punonjësit psiko-socialë dhe oficerët e sigursë në shkolla.

“Buxheti 2024 do të mbështesë rritjen e pagave mbi 30 mijë mësues në shërbim të rreth 300 mijë nxënësve që ndjekin arsimin publik dhe 1,700 mësuesve ndihmës, në mbështetje të fëmijëve me aftësi të veçanta, për rritjen e nivelit të tyre akademik, ndërkohë që është parashikuar që ky numër të shtohet me 100 punonjës të rinj. Gjithashtu do të garantohet mbështetje për 850 punonjës psiko-socialë dhe 220 punonjës oficerë sigurie në shkolla”, – tha Ministrja Manastirliu. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu theksoi se me buxhetin e ri, librat e shkollës do të jepen falas për 231 mijë nxënësit nga klasa e I – 9, si dhe për rreth 18 mijë nxënës nga shtresat sociale në nevojë që ndjekin arsimin e mesëm të lartë.

Buxheti 2024 do të sigurojë transportin falas gjatë vitit për mbi 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues. Buxheti 2024 do të mbështesë rreth 3,600 nxënës të arsimit parauniversitar nga shtresat sociale në nevojë. Manastirliu tha se investimet do të vijojnë intesivisht në objekte shkollore dhe brenda ciklit të 2023-2024 do të përmbyllen investimet ne 30 shkolla të reja.

“Për vitin 2024, parashikohet të financohen 2 miliard e 899 milion leke, ku prioritet në financim do të kenë, përmbyllja e 30 objekteve shkollore të financuara gjatë ciklit 2023-2024 dhe gjithashtu hapjen e investimeve të reja”, -tha Ministrja Manastirliu, duke u bërë me dije se me mbështetjen e buxhetit 2024 do të financohet zgjerimi i laboratorëve SMART për rritjen e aftësive digjitale të nxënësve dhe mbështetja me pajisjet didaktike të laboratorëve të lëndëve shkencore në shkolla. Me buxhetin 2024 do të sigurohet mbështetja me bursa për rreth 3,600 nxënës të familjeve në nevojë që ndjekin arsimin parauniversitar. Ministrja Manastirliu e ka konsideruar prioritet mbështetjen për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, ku do të financohen 14 miliard e 616 milion lekë ose 2 miliardë lekë më shumë se buxheti fillestar i vitit 2023 ose 16% më shumë. “Për sa i përket kërkimit shkencor buxheti parashikohet 1 miliard e 586 milion lekë të dedikuara për programet e kërkimit shkencor”,- tha Ministrja Manastirliu.

Me buxhetin 2024 sigurohet mbështetje financiare për mbi 50 mijë studentë në arsimin e lartë, me bursa dhe reduktim të plotë apo të pjesshëm të tarifave. Financimi i bursa të studentëve ekselente dhe bursa për studentët që ndjekin programet prioritare në universitete. Buxheti 2024 do të mbështesë investimet për përmiresimin i infrastrukturës në arsimin e lartë për projektet e rehabilitimit në universitetet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Me buxhetin 2024, sigurohet mbështetje për sportin shkollor, zgjerimin e ekipeve sportive dhe përfshirjen e mbi 10 mijë nxënësve në disiplinat e ndryshme sportive.