Rreth 6.5 miliardë euro janë planifikuar të ardhurat për vitin 2024, me një rritje prej 240 milionë euro në krahasim me këtë vit, ku pritet të mblidhen në total 6.3 miliardë euro.

Peshën më të madhe në rritjen e të ardhurave sipas relacionit të buxhetit do ta japë rritja e pagave për sektorin publik, që do të shtojnë kontributet në buxhet, ndjekur nga taksimi i shërbimeve profesionale si dhe ecuria e turizmit.

Konkretisht për vitin që vjen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar pritet të mblidhen 211.2 miliardë lekë me rritje 5.6% krahasuar me këtë vit, ku pesha më e madhe sipas Ministrisë së Financave do të jepet nga rritja ekonomike, indeksimi i çmimeve, rritja e të ardhurave nga sektorët të lidhur me turizmin dhe konsolidimi i faturimit elektronik.

Nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale” do të mblidhen 65.2 miliardë lekë, rreth 9.2 miliardë lekë më shumë se ky vit, ku reforma e pagave për sektorin shtetëror ka kontributin më të madh. Po ashtu qeveria këtë parashikim e mbështet edhe tek pritshmëritë për rritje të pagave në sektorin privat për shkak të konkurrencës që i vjen nga shteti. Për pasojë rritja e pagave do të shtojë edhe kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, që në 2024-ën pritet të arrijnë në 156.7 miliardë lekë.

Në relacion thuhet se tatimi i profesionistëve të lirë si dhe rritja e bizneseve të deklaruara në sektorin e turizmit, do të kenë kontribut pozitiv në vitin që vjen. Në rritje parashikohen edhe të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, bazuar tek xhiroja e rritur e bizneseve gjatë këtij viti, sidomos e turizmit dhe e ndërtimit. Nga akciza pritet të arkëtohen 63.6 miliardë lekë, rreth 4.6 miliardë lekë më shumë se viti aktual, dhe efekti më i madh i atribuohet kryesisht rritjes së akcizës së duhanit dhe shtimit të importeve të produkteve si karburante, cigare, pije alkoolike, verë, birrë etj, kjo për shkak të rritjes së fluksit të turistëve në vend.

Edhe taksat e tjera doganore dhe ato nacionale janë planifikuar të rritura përgjatë vitit të ardhshëm.

TOTALI I TË ARDHURAVE NË 2024
Viti 2023 6,347,752,113
Viti 2024 6,587,822,903
Diferenca +240,070,790