Pas një maratone dy-javore, projektbuxheti dhe paketa fiskale e vitit 2024 është miratuar në parim në komisione parlamentare.

Deputetët socialistë kanë zhvilluar mbledhjet online, duke i dhënë dritën jeshile në parim ligjit më të rëndësishëm në vend dhe paketës fiskale, pa ndryshime të rëndësishme.
Tashmë projektbuxheti i shkon për miratim në seancë plenare në 21 dhe 22 nëntor, për të vazhduar më pas me raundin e dytë të diskutimeve, ku ligji shikohet nen për nen.

Në mbledhjet maratonë deputetët socialistë bënë vërejtje për fondet e pakta akorduar bujqësisë, ndërsa u lajmërua edhe marrja e një borxhi të ri nëpërmjet metodës së eurobondit. Deputetët socialistë kanë sinjalizuar dhe ndryshimin në taksën e karbonit për kompanitë që përdorin qymyrin, pasi sipas tyre nuk është në përputhje me direktivën europiane.
Banka e Shqipërisë gjithashtu dha opinionin e saj në miratimin e projektbuxhetit, që sipas tyre mbështet rritjen ekonomike dhe ndihmon në uljen e inflacionit.
Buxheti i vitit të ardhshëm parashikohet në vlerën e 7.2 miliardë eurove, rreth 9% më i lartë se viti aktual, ndërsa një pjesë e rëndësishme e tij është mbështetja për reformën e pagave në administratën publike. Qeveria pritet të rrisë edhe të ardhurat e mbledhura duke i dërguar në kufirin 30% të PBB-së.