Nga 20 burgje që janë në vendin tonë, 10 prej tyre nuk plotësojnë kushtet më minimale për të mbajtur të dënuar dhe të paraburgosur. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja bëri me dije se, këto vende të vuajtjes së dënimit, të cilët janë të trashëguar nga komunizmi do të mbyllen në vijim. Por, 2 prej tyre, i Burrelit dhe i Tepelenës pritet të kthehen në muze, për shkak të historisë së tyre tragjike të para viteve ’90. Deklaratat u bënë në ceremoninë e prezantimit të flotës së re te automjeteve të burgjeve.

“Vitin e fundit realizuam me sukses një proces tërësor optimizim të infrastrukturës sonë fizike duke mbyllur 4 burgje. Në kuadër të këtyre planeve për riorganizim, do të mbyllim 10 burgje. Disa prej tyre, si burgu i Burrelit dhe i Tepelenës, do të vlerësohen për t’u shndërruar në vende memorie” tha Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë.
Planet për vitet 2024-2030 janë për ndërtimin e 5 burgjeve të tjerë, të cilët mendohet se do të kenë një kapacitet prej rreth 2520 vendesh.

“Në masterplanin tonë 2023-2030 kemi vendosur objektiva të qartë për ndërtimin e institucioneve të reja, me kapacitet shumë më të madh se ato ekzistuese, duke reduktuar kështu ndjeshëm kostot dhe duke përmirësuar kushtet e vuajtjes së dënimit për personat e dënuar, ku vëmendje e posaçme do t’i dedikohet institucionit të grave” u shpreh Manja.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King Smith, i pranishëm në ceremoni, bëri me dije se 2 vitet e ardhshme do të vijnë në Shqipëri për të kryer dënimin nga vendi i tij rreth 200 shqiptarë të dënuar atje.
200 të burgosur të kthehen në 2 vitet e ardhshme për të përfunduar dënimin pranë familjes në Shqipëri. Policia dhe forcat kufitare po kryejnë operacione të përbashkëta dhe së bashku po ndalim bandat e organizuara kriminale dhe trafikantët që lehtësojnë këtë udhëtim të rrezikshëm’ bëri të ditur ambasadori.
Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve i shtohen në total 95 mjete, mes të cilave për transport të punonjësve, të të dënuarve, autoambulanca e më gjerë. 39 prej tyre janë nga buxheti i Shtetit, ndërsa pjesa tjetër nga donatorët. Në këtë donacion, 37 minibus janë dhuruar nga Britania e Madhe.