NATO ka uruar Shqipërinë për Festën e Pavarësisë.

“Ripostoni për t’u bashkuar me ne për të festuar Aleatin tonë #Shqipëri në #Ditën e Pavarësisë së tyre”, thuhet në postimin e NATO-s në X, dikur Twitter, që shoqërohet me një foto të një ushtari shqiptar në misionet paqeruajtëse të aleancës me një flamur kuqi e zi në duar.

Shqipëria feston sot 111 vite Pavarësi. 111 vjet më parë në Vlorë, përfaqësues të vilajeteve shqiptare e shpallën Pavarësinë e shtetit shqiptar.
Anëtarësimi i vendit tonë në NATO, 13 vjet më parë, më 1 prill 2009, është një ndër ngjarjet më të rëndësishme për të gjithë kombin shqiptar. Aktualisht Shqipëria e sheh sigurinë e saj pazgjidhshmërisht të lidhur me sigurinë e territorit që mbulojnë prerogativat e Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Nisur nga roli themelor i NATO-s në sigurinë e përbashkët të territorit aleat, Shqipëria mbështet aktivisht unitetin e Aleancës dhe rëndësinë thelbësore të lidhjes Transatlantike, në mënyrë që NATO të mbetet kolonë stabiliteti për gjeneratat e ardhshme.