Kryeministri Edi Rama thotë se fëmijët shqiptarë duhet të mësojnë zanate, pasi e ardhmja është në Shqipëri dhe në 6 apo 7 vitet e ardhshme sipas tij, vendi ynë do të ofrojë shumë punë.
Rama tha se ka ikur koha kur në Europë emigrantët shqiptarë merrnin një pagë, e cila dilte për “të bërë 1000 gjëra”. Sot, sipas tij, është aq e vështirë për të blerë një shtëpi në Shqipëri, sa edhe është në Francë, Gjermani apo Britani.
“Mungesa e specialistëve, mungesa e njerëzve të zanatit në të gjithë spektrin e industrisë së turizmit, por dhe në gjithë sektorët e tjerë është alarmante dhe është e kotë, është pa lidhje e këtë ua them të gjithë prindërve që kanë fëmijë në shkollë, që shkojnë në gjimnaz me pesa, me gjashta e që rrinë atje këmbëngulin për t’i çuar në universitet që të humbasin kohën, të humbasin atë që investojnë, për t’i dhënë fëmijës që një rrugë, e cila me shumë gjasë nuk do e nxjerrë asgjëkundi në vend se menjëherë ai fëmijë që mbase nuk është shumë i prirur për shkenca, të marrë një zanat. E mund të jetë shumë i prirur për zanatin dhe nga zanati mund të krijojë dhe biznesin e vet e mund të bëhet sipërmarrës i një kompanie shërbimi sipas zanatit të vet dhe të jetë i zoti i vetes e të fitojë nga puna e vet në vend se të vijë vërdallë, qoftë edhe po ia doli që të futet në universitet me një diplomë që nuk i pi ujë asgjëkundi, e ky është një ndryshim i madh që duhet bërë tani, jo pas 5 vitesh, tani, duke filluar që këtë vit ne i kemi nisur një proces sensibilizimi me shkollat. Me familjet, por po e shfrytëzoj këtë rast për t’i thënë prindërve të këtyre fëmijëve jepuni fëmijëve një zanat. Shqipëria kur ata fëmijë të dalin në jetë dhe s’po po flas pas 20 vjetësh, por po flas 5 vjetësh, 6 vjetësh. Shqipëria do të jetë vendi që do të ketë shumë kërkesë, shumë shumë fare kërkesë dhe do ketë punë dhe kjo është baza kudo sot. Koha kur shkoje në Europë edhe merrje një pagë që të jepte mundësinë të bëjë 1 mijë gjëra ka mbaruar në Europë. Nuk është më. Këtë mund ta dëshmojnë të gjithë ata që janë në emigracion, nuk është më. Sot ata që jetojnë me një punë, me një zanat në Europë, duan, domethënë e kanë të pamundur të bëjnë një tjetër përveç se të arrijnë në fundin e muajit, të çojnë fëmijët në shkollë dhe këtu mbaron filmi.”, tha Rama.