Konflikti Izrael-Hamas vijon të jetë ende i ndezur, ndërsa bombardimet në Gaza kanë vijuar prej ditësh tashmë, qindra njerëz kanë ndërruar jetë, përfshirë këtu edhe një numër të lartë fëmijësh.

Fëmijët po vriten ose plagosen me një normë prej më shumë se 400 në ditë në rrethimin e vazhdueshëm të Gazës nga Izraeli, tha të mërkurën

Agjencia e fëmijëve të Kombeve të Bashkuara, në një deklaratë ka bërë me dije se për shkak të bombardimeve të Izraelit në Gaza, më shumë se 400 fëmijë po vriten ose plagosen në ditë, ndërsa përsëriti thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm humanitar.

Sipas UNICEF, rreth 3,500 fëmijë raportohet se janë vrarë dhe më shumë se 6,800 fëmijë thuhet se janë plagosur gjatë 25 ditëve të bombardimeve të vazhdueshme që nga 7 tetori, tha UNICEF në një deklaratë.

“Fëmijët tashmë kanë duruar shumë. Vrasja dhe robërimi i fëmijëve duhet të ndalet. Fëmijët nuk janë objektiv”, thuhet në deklaratën, e cila u publikua pas ditës së dytë radhazi të sulmeve ajrore vdekjeprurëse izraelite në kampin e refugjatëve Jabalya në Gazën veriore.

“Skenat e masakrës që vijnë nga kampi Jabaliya në Rripin e Gazës pas sulmeve janë të tmerrshme”, tha UNICEF.

Agjencia e OKB-së tha se nuk ka ende vlerësime për numrin e vdekjeve të fëmijëve nga kampi. Zyrtarët mjekësorë në terren deklaruan për CNN se qindra u plagosën dhe u vranë, duke përfshirë shumë fëmijë, pas sulmeve ajrore.

Ushtria izraelite nga ana tjetër ka pretenduar se shënjestroi dhe vrau disa militantë të Hamasit në kamp dhe thotë se bën gjithçka që mundet për të minimizuar viktimat civile.

Hamasi ndërkohë mohoi me forcë praninë e një prej komandantëve të tij në kamp.

UNICEF tha se kampet e refugjatëve mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar dhe palët në konflikt kanë detyrime të respektojnë dhe mbrojnë civilët nga sulmet.

“UNICEF-i përsërit thirrjen e tij urgjente për të gjitha palët në konflikt për një armëpushim të menjëhershëm humanitar, për të garantuar mbrojtjen e të gjithë fëmijëve dhe për akses të sigurt dhe të papenguar humanitar për të ofruar ndihma jetëshpëtuese në të gjithë Rripin e Gazës, sipas Ligjit Ndërkombëtar Humanitar. ”, thuhej në deklaratë.