Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim emisarin special britanik për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, sfidat e sigurisë në rajon, si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Në takim u diskutua edhe për integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe anëtarësimin në NATO.
Osmani theksoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli, e të cilat do të shërbejnë si mekanizëm shtesë për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim. Ajo ritheksoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe. Në këtë frymë, Osmani tha se ky hap është i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.
Në takim, Lord Peach përgëzoi presidenten Osmani për përpjekjet e saj të vazhdueshme në avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë në këtë kohë sfiduese për paqen në botë.
Ndryshe, emisari special britanik për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, gjatë ditës ka zhvilluara takime edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.