Juristi Kreshnik Spahiu ka folur për dosjen “Partizani”, në të cilën është person nën hetim për korrupsion edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Duke komentuar mos paraqitjen në SPAK të ish-kryeministrit, juristi tha se në këto raste oficeri i policisë gjyqësore ka detyrimin për të njoftuar prokurorinë çështjes për mos paraqitjen e personit, në këtë moment prokuroria duhet të paraqesë një relacion në Gjykatë, për të thënë që masa e marrë ndaj subjektit, nuk është respektuar.

Sipas juristit ligjit në këto raste mund të kërkohet një masë më e rëndë, masa e arrestit shtëpiak, ose masa e arrestit me burg. Spahiu bëri edhe një parashikim nëse do merret apo jo një masë më e rëndë për Sali Berishën.

“Unë parashikoj se këta nuk do të bëjnë ndryshim të masës së sigurimit. Sali Berisha sot ende nuk figuron me një akuzë të komunikuar. Si e parashikoj unë, këta do i fusin një të mbyllur hetimit dhe brenda një muaj, do mbyllin hetimin dhe do ia dërgojnë çështjen do i kalojnë për gjykim gjykatës.

Berisha do shkojë i lirë para gjykatës dhe do fillojë gjykimi i çështjes. Berisha mbase nuk do të marrë pjesë vetë, por me anë të avokatëve do kërkojë që çështjen ta mbyllë me pafajësi”,-tha juristi Spahiu në “Now me Erla Mëhillin”.