Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive ka ftuar sot në një takim drejtues të lartë të AKEP dhe përfaqësues të kompanive të mëdha ofruese të shërbimit të Internetit në vend. Qëllimi i këtij takimi ka qenë thirrja për bashkëpunim mes këtyre operatorëve dhe AMA-s për identifikimin e transmetuesve të paligjshëm të përmbajtjeve audiovizive nëpërmjet internetit.
“Ky është kthyer në një fenomen shqetësues për të gjitha OSHMA-të që përfundojnë të piratuara nga kompani të vogla, që gjejnë mënyra për të ndërhyrë në treg, nëpërmjet shërbimit online, me oferta të paligjshme, duke i piratuar transmetime, për të cilat nuk kanë të drejta. Ky fenomen duhet të marrë fund. Prandaj ju kam ftuar këtu për t’ju drejtuar një apel, një thirrje për bashkëpunim mes nesh, për të gjetur mënyrat që këta piratë të tregut të identifikohen dhe ndëshkohen sipas ligjit”, ka thënë në takim kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi. Operatorët e ofrimit të shërbimit të Internetit, kanë prezantuar gjithashtu skemat e operimit në treg, problematikat që ata ndeshin dhe kanë shprehur gatishmërinë që t’u përgjigjur kësaj kërkese për bashkëpunim, sipas kapaciteteve që ata posedojnë.
Zhvillimi i teknologjisë mundëson zgjidhje të reja dhe transmetuesit piratë arrijnë deri tek përfituesit fundorë të shërbimit, pavarësisht masave që merren vazhdimisht.
Në këtë situatë, në përfundim të takimit, është rënë dakord që kompanitë e mëdha të shërbimit të Internetit të jenë të parat që të dërgojnë në kohë reale në AMA, çdo rast të konstatuar nga ISP që transmetojnë përmbajtje audiovizive pirate, duke i dhënë Autoritetit dhe AKEP, mundësinë e veprimit ndërinstitucional dhe ligjor për verifikimin e mëtejshëm të tyre, bllokimin dhe marrjen masave ndëshkuese ligjore. Gjithashtu u ra dakord që, nga ana e tyre, të diskutohet gjetja e mekanizmave teknik brenda resurseve që ata kanë, për frenimin e këtij fenomeni.
“Pavarësisht se AMA kryen monitorime dhe hetime kryesisht, është e rëndësishme për ne të marrim edhe nga ju indicie në kohën e duhur për raste që ju konstatoni si shkelës të ligjit, në mënyrë që të veprojmë menjëherë me verifikimin, bllokimin e tyre dhe natyrisht marrjen e masave ndëshkimore siç parashikohen në ligj”, ka thënë Krasniqi. “Ky është vetëm fillimi i kësaj lufte sepse aktualisht ne po punojmë për ndryshimet e nevojshme ligjore për parandalimin e piraterisë, ndryshime që do të hidhen për konsultim publik dhe ku ju natyrisht që do të jeni pjesë”. Në takim është vlerësuar edhe bashkëpunimi mes AMA-s dhe AKEP me task-forcën e përbashkët, me të cilën do të vijojnë inspektimet në terren.