Kukësi është përfshirë këtë mëngjes nga reshje të dendura bore, e cila ka zbardhur të gjitha njësitë administrative, duke krijuar shtresa akulli në rrugë e për pasoj janë shfaqur edhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Lëvizja e automjeteve po bëhet me zinxhirë dhe goma dimërore në rrugët si Kukës-Peshkopi, Kukës-Shishtavec apo Krumë-Kam-Tropojë.

Trashësia e borës në pikat më të larta të këtyre rrugëve i ka kaluar 20 centimetra, ndërsa firmat kontraktuese po bëjnë pastrimin e borës.

Deri më tani nuk raportohet për bllokim të rrugëve apo fshatrave, ndonëse dendësia e borës është e lartë.