Të nesërmen (23 nëntor) në orën 11:00 pritet të mlbidhet konferenca e kryetarëve në kryesinë e Kuvendit. Mësohet se në rendin e ditës janë shqyrtimi për draftprogramin dhe draftkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 27 nëntor-22 dhjetor.

Ndërkohë në draftkalendarin e punimeve për këtë periudhë është edhe marrëveshja e firmosur mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e emigrantëve të ardhur nga Afrika.
Ndërsa pritet që votimi në seancë plenare për marrëveshjen me Italinë të bëhet në 21 dhjetor.

Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj.

Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët. Shpenzimet do të përballohen nga Italia dhe sipas përllogaritjeve shteti fqinj do t’i paguajë vendit tonë fondin e parë në shumën 16.5 milionë eurove brenda një 3-mujori. Kohëzgjatja e marrëveshjes do jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vite të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll. Marrëveshja pritet të kalojë dhe në kuvend.