Tiranë, 3 nëntor – Nis faza e dytë e projektit të shtrirjes së laboratorëvë të inteligjencës artificiale në shkolla për të rinjtë nga 13-19 vjeç.
Nga gjimnazi “Andon Zako Çajupi”, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu tha se, kabinetet e inteligjencës artificiale do të shtrihen edhe në 15 shkolla të tjera, duke bërë të mundur zgjerimin e njohurive të nxënësve në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe inteligjencës artificiale.
Ministrja Manastirliu e vuri theksin tek zgjerimi i dijeve në fushën e inteligjencës artificiale dhe tek finalizimi i projekteve nga nxënësit në këto laboratorë të avancuar.
“Ajo që është e rëndësishme është si ta përdorim inteligjencën artificiale për nevojat tona, për të nxjerrë produkte që do ju vlejnë në jetën e përditshme, por nga ana tjetër, do ju vlejnë edhe për proceset e të mësuarit, sepse shumë nga ato që ju bëni në gjimnaz, nesër do ju vlejnë në universitet, janë produkte të kërkimit shkencor”,- tha Manastirliu.
Ministrja Ogerta Manastirliu foli edhe për trajnimet e mësuesve mbi inteligjencën artificiale.
“Inteligjenca artificiale dhe programet e kërkimit, kërkojnë që të aftësohesh në vijimësi, kështu që edhe programi i trajnimit për mësuesit do të vijojë, për të patur edhe një rifreskim të të gjithë atyre aftësive, por nga ana tjetër, pajisje me aftësi të reja”,- tha Ministrja Manastirliu.
Laboratori i Inteligjencës Artificiale në gjimnazin “Andon Zako Çajupi” sapo ka përfunduar dhe është bërë funksional në këtë shkollë, në kuadër të projektit ‘AI for Youth’, si pjesë e 15 shkollave të tjera që kanë hyrë këtë vit në projekt.
Laboratorë të inteligjencës artificiale për të rinjtë janë vendosur në kuadër të politikave të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në mbështetje nga Fondi Amerikano-Shqiptar për Zhvillim (AADF), për të edukuar nxënësit e moshave 13-19 vjeç në teknologji, specifikisht në fushën e inteligjencës artificiale. Laboratorë të Inteligjencës Artificiale aktualisht janë në nëntë shkolla dhe do të shtrihen edhe në 15 shkolla të tjera deri në vitin 2024. AADF ka krijuar një partneritet me Intel, duke ofruar një program inovativ që do të aftësojë nxënësit në fushën e teknologjisë dhe IA, etikë biznesi, mendim kritik dhe zgjidhje problemesh.
Home Lajme Aktualitet Laborator i ri në gjimnazin ‘Çajupi’, Manastirliu: Shtrijmë në 15 shkolla laboratorët...