Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar të hënën, më datë 20 nëntor, në orën 12:00, seancën për marrjen në pyetje të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Ishte Prokuroria e Posaçme ajo e cila zyrtarizoi sot hetimin për ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj lidhur me koncesionin e sterilizimit, të pajisjeve kirurgjikale, kontrata koncensionare 10 vjeçare afro 100 milionë dollarëshe e cila u firmos në dhjetor 2015 dhe ende vijon.

Ish ministri i Shëndetësisë do të hetohet për ‘shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim’ në procedurat e koncesionit nën masën e sigurisë “detyrim me paraqitje” dhe “ndalim të udhëtimit jashtë”.

Ndërkohë Prej 17 gushtit 2023 të arrestuar me masë sigurie burg janë ish zv/ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj,pronari i kompanisë “Investital LLC”, që ka në dorë koncensionin e sterilizimit të mjeteve spitalore, ndërsa 6 të tjerë janë në hetim në masa sigurie ‘arrest me shtëpie’ ose ‘detyrim me paraqitje’.

Përmes një reagimi në Facebook, Beqaj tha se nuk do ta ankimonte vendimin dhe ishte i gatshëm dhe i interesuar për zbardhjen sa më parë të kësaj çështjeje plotësisht: “Edhe pse kam rezerva serioze lidhur me disa aspekte të vendimit në fjalë unë kam vendosur të mos e ankimoj këtë vendim dhe ti nënshtrohem me vullnet të plotë kërkesave dhe garancive që ky proces hetimor kërkon për zhvillimin e tij normal dhe të rregullt. Disponibiliteti im karshi zbardhjes sa më parë të së vërtetës së kësaj çështje shkon përtej kufizimeve të lirive të mia vetjake dhe madje përtej një afati normal kohor, tashmë disa vjeçar. Besoj fort që në fund të këtij procesi emri im do të pastrohet përfundimisht nga çdo akuzë e pabazuar”.

Ilir Beqaj ka dhënë dorëheqjen edhe nga detyra e drejtorit për Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC)