Partia Demokratike ka depozituar Komisionin e Reformës Zgjedhore propozimin për lista të hapura, propozimin për 1 zonë zgjedhore dhe votën e diasporës.

“Me këto propozime, listat e kandidatëve për deputetë çlirohen nga kontrolli i kryetarëve të partive, duke i dhënë mundësinë qytetarëve të zgjedhin drejtpërdrejtë deputetin që duan dhe duke rikrijuar lidhjen ndërmjet votuesit dhe deputetit, të cilat u shkëputën nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008” shkruan Lulzim Basha në një postim në Facebook.

Përmes propozimit Shqipëria 1 zonë zgjedhore, PD thotë se krijohet barazia e votës së qytetarëve duke eliminuar difererencat ndërmjet qyteteve të ndryshme. Kështu vota do të ketë të njëjtën vlerë, si për qytetarin e Kukësit dhe të Fierit, të Tiranës dhe të Vlorës.

Me propozimin për votën e diasporës, u kthehet pa asnjë kufizim, shtetasve shqiptarë me qëndrim të përhershëm, apo të përkohëshëm jashtë Shqipërisë, të drejtën e tyre kushtetuese të zgjedhjes së përfaqësuesve në Kuvend. Në përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shqiptarët jashtë Shqipërisë do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës në vendin ku ata jetojnë.
Basha thotë se për këto nisma është konsultuar paraprakisht me qytetarët dhe kanë një mbështetje maksimale, prandaj “tani është momenti që dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve ta shndërrojmë në ligj për t’u dhënë atyre fuqinë e vërtetë në përcaktimin e deputetëve dhe qeverisë së ardhshme”.