Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Agjencia e Mediave Audiovizive, mbi rëndësinë e edukimin mediatik.
Manastirliu nënvizoi rëndësinë e informacionit të saktë dhe nga burime të sigurta që duhet të marrin të gjithë nxënësit, teksa u shpreh se duhet një kujdes i madh në kushtet kur zhvillimet digjitale po zhvillohet me shpejtësi marramendëse.
“Edukimi mediatik dhe edukimi digjital duhet të jenë të ndërlidhur me njëri- tjetrin dhe të shkojnë dorë për dorë tek shkollat, tek nxënësit, duke e parë në prespektivën që në çdo lëndë të kenë aspektin e informacionit, edukimit, që i përket burimeve të sigurta të informimit, mënyrës se si ne të kërkojmë informacionin, cili është i saktë, cili lidhet me të vërtetën. Kundër infodemisë është një luftë që duhet ta bëjë gjithësecili, që tek familja e vogël, deri në komunitet, por mbi të gjitha është një luftë që duhet ta bëjnë vet gazetarët”,- theksoi Ministrja Manastirliu gjatë konferencës së edukimit mediatik me përfaqësues të Instiutit të Medias, Agjencisë së Mediave Audiovizive, përfaqësues të mediave, pedagogë, gazetarë dhe përfaqësues të strukturave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Ministrja Manastirliu, shprehu angazhimin e saj për të promovuar rëndësinë e edukimit mediatik në shkollë tek fëmijët dhe të rinjtë, për të mundësuar që trajnimi edhe edukimi në vazhdim i mësuesve në këtë drejtim të zgjerohet.
Instituti Shqiptar i Medias në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit /Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, që nga viti 2020 dhe aktualisht është duke zbatuar projektin “Edukimi për Median dhe Informacionin në Arsimin Parauniversitar”.
Projekti ka për qëllim të aftësojë të rinjtë në fushën e Edukimit për Median dhe Informacionin (EMI) përmes integrimit të kurrikulës EMI në sistemin arsimor në Shqipëri.