Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith foli sot për suksesin e marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve për parandalimin e emigracionit të paligjshëm, ndërsa bëri të ditur se numri i shqiptarëve në barkat e vogla drejt Britanisë është ulur me 90%.

Ambasadori mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të flotës së re të automjeteve për sistemin penitenciar, ku ndër të tjera vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve.

King-Smith vlerësoi veçanërisht marrëveshjen pozitive mes dy vendeve për emigracionin, që sipas tij është në të mirën e qytetarëve shqiptarë dhe atyre britanikë.

“Ky është një tjetër moment historik në marrëdhëniet më të ngushta mes Mbretërisë së Bashkuar e Shqipërisë. Jam krenar për atë që kemi arritur së bashku për drejtësinë dhe burgjet, një marrëveshje për të cilën nuk isha i sigurt se do ta siguronim. Më kujtohet kur ju ministër konfirmuat vullnetin tuaj ndaj këtij bashkëpunimi dhe vendosët edhe parametra shumë të fortë në negociatat tona”, u shpreh ai.

Ambasadori vlerësoi se ky vit ka qenë fantastik në marrëdhëniet mes dy vendeve, që kanë trajtuar së bashku kërcënimet e përbashkëta.

“Nënshkruam komunikatën tonë të përbashkët dhjetorin e kaluar dhe kemi ndryshuar tashmë një sfidë të madhe në një partneritet vërtetë të fortë. Numri i shqiptarëve në barkat e vogla është ulur në 90%. Policia dhe forcat tona kufitare po kryejnë operacione të përbashkëta dhe ne së bashku po ndalim bandat e organizuara kriminale dhe trafikantët që realizojnë këtë udhëtim të rrezikshëm”, shtoi ai.

Ambasadori theksoi po ashtu se është hapur Dhoma Britanike e Tregtisë për të rritur lidhjet ekonomike mes dy vendeve, si dhe Britania ka investuar në zhvillimin e veriut të Shqipërisë.

Kjo, sipas tij, “është thelbësore në mënyrë që të rinjtë të kenë aftësitë dhe mundësitë për të punuar, gjë që i parandalon ata të emigrojnë”.

“Ne kemi shkëmbyer vizita të nivelit të lartë mes qeverive tona duke përfshirë vizitën e kryeministrit shqiptar për të takuar kryeministrin britanik në mars dhe vizita të tjera.
Falënderoj kryeministrin dhe qeverinë shqiptare për mbështetjen dhe përpjekjen e vazhdueshme”, tha ai.