“Kur një marrëveshje nënshkruhet mes dy kryeministrave, kalon në të dyja qeveritë. Në muajin gusht është ngritur një grup pune, ku ka qenë ministri i Drejtësisë, ministri i Brendshëm, i Mbrojtjes, e Shëndetësisë, Policia e Shtetit, që kanë hartuar këtë marrëveshje. Nuk u zgjua një ditë…këto janë punë të qeverisë jo të diskutimeve publike. Ajo marrëveshje ka kaluar në Këshillin e Ministrave më 6 nëntor, pastaj Rama e ka nënshkruar. Ka pasur diskutime, sugjerime, ndryshime të tekstit fillestar, e deri në produktin final që u nënshkrua. Për një çështje që vjen para konsultimit me BE, është konsultimi publik.
Ligji për konsultimet publike në nenin 4 specifikon që marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë objekt i konsultimeve publike. Kjo marrëveshje do ndjekë këtë rrugë ligjore. Nuk ka dalë nga një xhep për të hyrë në një xhep tjetër, për të hyrë fshehurazi nga një derë. Nuk e kërkon ligji, konsultimi publik vjen pasi nënshkruhet marrëveshja. Ne gjykojmë që marrëveshja është e domosdoshme dhe i bën nder Shqipërisë.
Shqipëria ka pranuar që të nënshkruajë një marrëveshje të tillë e cila është në vazhdën e përvojave që kanë dëshmuar që Shqipëria është një vend që është gati të japë siguri dhe të jetë pjesë e marrëveshjeve të rëndësishme”- u shpreh Spiropali në Top Story.