Pranvera dhe vjeshta ofrojnë kushte të favorshme të motit dhe çmime të përballueshme për të udhetuar! Për fat të mirë, ka shumë vende në Evropë që gjithashtu ia vlen të eksplorohen në vjeshtë. Për më tepër, disa destinacione ofrojnë peizazhet e tyre më të bukura në vjeshtë, shkruan në një artikull gazetari Patrik Kovács, të botuar në të përditshmen hungareze “Igényesférfi.hu”. Në raste të tilla, ngrohtësia e këndshme gati përkëdhelëse i jep udhëtimit një intimitet të veçantë, ashtu si hapësirat publike, shëtitoret dhe plazhet e mahnitshme, gjysmë bosh, shumë larg turizmit masiv shpesh edhe “pa shpirt”, që dominon muajt e nxehtë të verës.
Në vjeshtë mund të rezervoni akomodime me çmime shumë më të favorshme se në mes të sezonit veror. Prandaj, një udhëtim në vjeshtë, krejtësisht spontan apo i planifikuar me vetëdije, mund të jetë një experiencë e paharruar pa pasur nevojë të shpenzoni shuma të mëdha për hotele, bileta avioni apo ushqim. Shqipëria është renditur mes katër vendeve evropiane që presin vizitorët aventurierë me krahë hapur edhe gjatë vjeshtës, të etur për impulse të reja, aktivitete kulturore dhe eksperienca të shkëlqyera plazhi.
Shqipëria
Shqipëria ndodhet në Gadishullin Ballkanik të Evropës Juglindore. Është një vend mjaft i vogël, por ka shumë diversitet: nga brigjet e Jonit dhe Adriatikut, në zonat malore, dhe shumë kështjella dhe zona arkeologjike. Shtojini kësaj një klimë mesdhetare plus çmime të përballueshme dhe do të përjetoni eksperiencën e një destinacioni shumë tërheqës udhëtimi!
Gjatë shekujve të kaluar, Shqipëria ka qenë në izolim përsa i përket turizmit për shkak të historisë së saj të trazuar. Por sot, ajo po zhvillohet me shpejtësi dhe po mirëpret vizitorë nga e gjithë bota. Jo vetëm që ofron shërbime turistike me kosto të ulët, por me plazhet e saj Shqipëria, konkurron me zonat më të bukura bregdetare të Italisë apo Greqisë. Një dhomë e thjeshtë hoteli kushton vetëm 49 dollarë për një natë. Ndërsa akomodimi në një hotel me pesë yje, ka një kosto prej 81 dollarësh për një natë. Adhuruesit e birrës gjithashtu mund të zgjedhin Shqipërinë, pasi një litër birrë kushton vetëm 2 dollarë.