Dita e Pavarësisë së Shqipërisë ishte të martën (28 nëntor), por Drake mendon se nuk është vonë për t’u bashkuar me festimet.
Një ditë pas, të mërkurën (29 nëntor), reperi kanadez publikoi videoklipin “Polar Opposites”, kënga përmbyllëse e albumit të tij më të fundit, “For All the Dogs”, ku shfaqet dukshëm me një grup burrash shqiptarë që rrinë në dhomat e lojërave të rezidencës së tij.
Në klip, Drake dhe miqtë e tij veshin xhaketa të kuqe, të gjitha me simbolin kombëtar dhe etnik të Shqipërisë – shqiponjën – të shfaqur në shpinë, shkruan Rolling Stone.
Mes lojërave të pokerit dhe goditjeve në tavolinën e bilardos, Drake qan për një të dashur që e bllokon atë në çdo platformë që mund të përdorte për të krijuar kontakt me të.
Drake edhe në njoftimin e tij në Instagram të lansimit të videoklipit në mbishkrimin e postimit bashkëngjiti emoji me flamurin kuq e zi.
Videoja “Polar Opposites” pason publikimin e “Scary Hours 3”, një version i zgjatur që shtoi gjashtë projekte të reja në listën e 23 këngëve të albumit “For All The Dogs”.
Theksojmë që Drake më parë, pas publikimit të edicionit standard të albumit, kishte njoftuar planet për të marrë pak kohë larg muzikës për t’u fokusuar në shëndetin e tij.
“Më duhet të fokusohem në shëndetin tim, para së gjithash”, tha ylli teksa përpiqet të kontrollojë problemin e tij gastrointestinal.
“Kam vite që kam problemet më të çmendura me stomakun tim. Do të mbyll derën e studios për pak. Ndoshta një vit apo diçka kështu, ndoshta edhe pak më gjatë”, kishte deklaruar reperi mes tjerash.