Policia e Shtetit i ka dhënë udhë sot në orën 04.00 Operacionit Kombëtar , për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri dhe të atyre që mbajnë në banesë armë, municion ose lëndë narkotike.
Në orët e para të këtij operacioni u përfshinë 1852 punonjës policie, nga Forca e Sigurisë Kombëtare, Reparti Special “RENEA”, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe strukturat e drejtorive vendore të Policisë.
– Deri në orën 12.00 janë arrestuar 20 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar dhe 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për vepra të rënda penale.
– Deri në orën 12.00 janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas, për armëmbajtje dhe posedim lëndësh narkotike.
– Deri në orën 12.00 janë sekuestruar 9 armë dhe sasi të konsiderueshme municion luftarak.
– Deri në orën 12.00 janë sekuestruar sasi lënde narkotike cannabis sativa dhe kokaine, si dhe shuma parash në lekë dhe në euro, të përfituara nga veprimtaritë kriminale.
Prova e parë e Forcës së Sigurisë Kombëtare po ecën me sukses, ndërsa ky Operacion sapo ka filluar dhe po vijon intensivisht.