Konferenca e 30-të e Kirurgjisë Shqiptare (ACS 2023) dhe Kongres i 7-të Shqiptar i Traumës dhe Kirurgjisë Urgjente (ACTES 2023), e ka shndërruar Tiranën në kryeqytet të mjekësisë botërore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë në ceremoninë e hapjes së këtij eventi të rëndësishëm rajonal për kirurgjinë, traumën dhe urgjencën kirurgjikale, ku ishin të pranishëm kirurgë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe vendet evropiane.

Në fjalën e saj, ministrja Koçiu vuri në dukje prioritetet e buxhetit 2024, buxheti më i madh i akorduar për shëndetësinë deri më sot, i cili sipas ministres do të vazhdojë me transformimet e mëdha si dhe investimet për pajisje moderne dhe të teknologjisë së fundit. Koçiu theksoi se do të ndërtohet godina e re e Back-Up (mbështetjes) së Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.
“Mbështetja për Urgjencën Kombëtare do të ndihmojë akoma më shumë në rritjen e efikasitetit dhe shpejtësisë në reagim, marrjen e trajtimit paramjekësor, duke përmirësuar kështu drejtpërdrejtë dhe punën në Spitalin e Traumës”, – u shpreh ministrja.

Në kuadër të fuqizimit dhe modernizimit të diagnostikimeve në spitalet publike, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të vijojë investimet për pajisjet mjekësore të teknologjisë së lartë. “Një tjetër pikë kyçe në buxhet janë edhe vijimi i shtimit të pajisjeve moderne dhe teknologjisë së fundit për të bërë diagnostikimin më të mirë, për të shërbyer më mirë qytetarëve. Pas rehabilitimit të plotë të 20 spitaleve dhe 340 qendrave shëndetësore, deri në fund të vitit 2024, ne do të vijojmë të rikonstruktojmë dhe t’i shtojmë Qendrave Shëndetësore edhe 60 godina të tjera”, deklaroi ministrja.

Buxheti 2024 vijon mbështetjen për bluzat e bardha, për rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e autonomisë spitalore.

Ministrja Koçiu deklaroi se me buxhetin e ri do të vijojë rritja e pagave për rreth 22 mijë punonjësve shëndetësorë që shërbejnë në sektorin tonë shëndetësor. Gjatë vitit të ardhshëm, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të rikonstruktojë Spitalit Psikiatrik të Elbasanit, godinën qendrore të spitalit Rajonal Gjirokastër dhe të spitalit Rajonal Korçë.