Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Vlorë, kryeministri Edi Rama deklaroi se socialistët e vërtetë nuk duhet të mërziten pse merren në punë demokratët, kur këta të fundit janë të zotë.
Ai theksoi se Partia Socialiste është partia e të gjitha anëve për 1001 arsye dhe nuk është lëkundur kurrë për shkak të interesit.
“Kush është socialist vërtetë socialist, nuk duhet të mërzitet pse demokratët merren në punë kur janë të zotë patjetër. Tani kanë votuar për atë se janë demokratë. Fakti që nuk votojnë më për atë është merita jonë apo jo? Për këtë arsye është shumë e vjetër dhe e pakuptimtë të merremi me këtë pjesë.
Ndërkohë, ana tjetër është që pas kaq shumë vitesh qeveri në Vlorë nuk është se i kemi marrë hakun dikujt. Sigurisht që ka pasur njerëz që nuk e kanë merituar me punën e tyre atë besim që i është dhënë dhe këta njerëz duhet të vihen përpara përgjegjësisë.
Ne nuk jemi thjesht një parti e një ane më. Ne jemi partia e të gjitha anëve për 1001 arsye. Ne jemi e vetmja parti që në lindje të saj nuk është lëkundur kurrë për shkak të interesit. Edhe sigurisht jemi një parti që çdo shqiptar që vjen pavarësisht se nga vjen e ka derën e hapur. Të gjitha këto do t’i diskutojmë më 8 dhjetor në Kongresin e Partisë”, tha Rama.
Gjatë Asamblesë së Përgjithshme sot në Vlorë, ndër të tjera Edi Rama iu drejtua mbështetësve të tij duke u thënë se nuk duhet ta pyesin më se përse kreu i kësaj Bashkie, Ermal Dredha, merr në punë mbështetës të PD.
Sipas Ramës, nëse ata janë të aftë në punën dhe kontributin e tyre, atëherë nuk duhet të ketë asnjë pikëpyetje dhe nuk duhet hequr mundësia për të punuar në administratë, edhe pse kanë votuar PD.
“Marr ca sms anonime, i kishin harruar ca kohë, tani i filluat prapë. Në këto sms anonime më thonë pse Ermali kërkon të marrë në parti demokratë. Kush i bën këto sms e ka gabim, dhe Ermali ka të drejtë, në parim flas. Nuk duhet të mërziten pse demokratët merren në punë kur janë demokratë. Për këtë arsye është shumë e pakuptimtë që të merremi më këtë pjesë.
Ana tjetër është që për hir të së vërtetës, pas kaq vitesh në qeveri, s’besoj se ka mbetur njeri pa i dhënë hakun. Sigurisht ka pasur njerëz, dhe mund të ketë akoma që nuk e kanë merituar me punën e tyre atë besim që u është dhënë, dhe këta njerëz duhet të vihen para përgjegjësisë. Por ndarjen socialistë dhe demokratë kur vjen puna te kontributi që gjithsecili mund të japë në një bashki, askush nuk duhet ta bëjë”, tha ai.