Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh sot se lufta kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve është një detyrë morale.Në Ministrinë e Brendshme u firmos sot një dokument që synon mbrojtjen e posaçme të fëmijëve nga dhuna seksuale me burim internetin, por edhe në jetën e përditshme, që emërtohet “Pakti kombëtar kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri”. Balla u shpreh se ndihet krenar për çfarë është arritur së bashku me të gjitha institucionet e tjera për sa i përket rezultateve të Paketës së Sigurisë në Shkolla.

Ai siguroi se ky është vetëm fillimi i një pune dhe angazhimi të përditshëm nga ana e të gjitha strukturave shtetërore”. Balla theksoi se e vërteta është që ne nuk arrijmë të kontrollojmë sot sa e si duhet gjithçka që qarkullon në internet dhe që ka dëshmuar e dëshmon çdo ditë që të jetë e dëmshme për fëmijët. “Lufta kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve është një detyrë morale. Për ne të katër këtu, është edhe një angazhim politik, jo vetëm si anëtarë të qeverisë, por edhe të forcës politike që kemi nderin të përfaqësojmë. Për ne mbetet shumë e rëndësishme që të zbulohet dhe të ndalet çdo lloj forme abuzimi, atje ku ndodh, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe t’u ofrohet ndihmë kujtdo që bie pre e dhunës seksuale”, tha ai.

Balla theksoi se mjeti më efektiv në trajtimin e abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet është parandalimi. “Parandalimi kërkon rritjen e ndërgjegjësimit, edukimin dhe sensibilizimin e të gjithë palëve të interesuara, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve të tyre brenda dhe jashtë ambienteve të shkollës. Na duhet të fuqizojmë fëmijët dhe të rinjtë nëpërmjet trajnimit mbi përdorimin e sigurt të teknologjive të reja dhe medieve sociale, si dhe duke përdorur edhe linjat telefonike të dedikuara, siç është ajo që e tha para pak Altini, për fëmijët, për të raportuar abuzimin dhe shfrytëzimin online”, shtoi ai.

Balla tha se po shikohet mundësia me Ministrinë e Arsimit që të përfshihet brenda Paketës së Sigurisë në Shkolla edhe garantimi i internetit të sigurt si pjesë e këtij angazhimi. “Është e rëndësishme edhe rritja e përgjegjësisë sociale e kompanive ofruesve të shërbimeve dhe përmbajtjeve të internetit. Për mua TikTok duhet mbyllur. Megjithatë, ky është mendimi im personal, e jo si ministër i Brendshëm i vendit.”