Paqja në Rripin e Gazës kthehet pas thuajse 7 javëve të mbushura me luftime të ashpra dhe shkatërrim.

Ushtria e Izraelit dhe militantët e Hamas ulin armët në orën 7 të mëngjesit të së premtes, për t’i lënë hapësirë shkëmbimit të 50 pengjeve izraelite në total me 150 palestinezë të burgosur. Detajet e këtij armëpushimi u bënë nga Katari dhe Egjipti që ndërmjetësuan paqen katër ditore.

“Civilët e parë do të lirohen nga Gaza rreth orës 16:00 të së premtes. Ata do të jenë 13, të gjithë gra dhe fëmijë. Ata pengje që janë nga të njëjtat familje do të lirohen bashkë. Natyrisht, çdo ditë do të përfshijë një numër civilësh siç është rënë dakord për lirimin e gjithsej 50 pengjeve brenda katër ditëve,” deklaroi Majed Al-Ansari, zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Katarit.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se ka marrë një listë paraprake të pengjeve që do të lirohen nesër.

Zyrtarët izraelitë po kontrollojnë detajet dhe po kontaktojnë familjet e prekura. Katari shpreson të negociojë një marrëveshje të mëvonshme për lirimin e pengjeve të tjera nga Gaza deri në ditën e katërt të armëpushimit.

Të dyja palët kanë thënë se do të kthehen në luftime sapo të përfundojë armëpushimi. Madje raportime për të shtëna dhe përplasje të armatosur ka pasur vazhdimisht gjatë të enjtes.

Hamas njofton se numri i të vrarëve në Gaza po shkon në thuajse 15 mijë, kur mbi 6100 prej tyre janë të mitur dhe 4 mijë të tjera janë gra.

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se një epidemi mund të shpërthejë në territorin palestinez për shkak të mungesës së ujit të pijshëm.