Nga Mero Baze/
Ka një problem të madh logjikë me aktorët e tjerë të opozitës që duan të përdorin Berishën për tu dukur si ndërmjetës mes tij dhe SHBA. E kam fjalën këtu për gjithë ata partnerë të vegjël të Berishës, që në fakt duhen vetëm për kartëvizitë e jo për vota, por dhe të tjerë brenda fraksioneve të PD që duan të përfshihen me Berishën duke bërë sikur janë dhe me Berishën dhe me SHBA.
I gjithë ligjërimi i tyre politik, vërtitet rreth idesë se SHBA ose është “penduar”, ose do të “pendohet”, ose po bën diçka që të pajtohet me Berishën. Është shumë qesharake e gjitha çfarë thonë se e dinë më mirë se të tjerët se është gënjeshtër, por nuk e kuptoj përse duhet të harxhojnë energji me një tezë e cila vlen vetëm për të gënjyer mbështetësit më idiotë të Berishës që të mos e lënë dhe ata Berishën. Nuk kam gjë me përzgjedhjen e tyre pro Berishës. Nuk është ndonjë krim që të bëhesh me të dhe në vitin 2023, pasi budallallëku nuk është krim, është sëmundje, por thjesht duhet ta pranosh me vetëdije, se nuk je duke luftuar për të fituar pushtet, por të mbrojtur dikë, që i ka punët keq ndërkombëtarisht dhe politikisht. Por nëse do të bëhesh me Berishën, duhet të adoptosh qëndrimet e Berishës dhe të vërtetat e Berishës.
Së pari duhet ta dënosh SHBA pse e ka shpallur “non grata” dhe jo të shpikësh broçkulla të tipit “SHBA është penduar” “SHBA do t’ia heq Non Gratën”, “SHBA ka kuptuar gabimin” etj. Asgjë nga këto nuk është e vërtetë dhe SHBA e përsërit këtë sa herë këta përsërisin gënjeshtrat e tyre. Për këtë arsye ata në vend ta ndihmojnë Berishën e varrosin dhe më keq se herë pas here detyrojnë SHBA të deklarohet dhe të rivarros Berishën. Nëse këta duan ta ndihmojnë Berishën, duhet të bëjnë një rezolutë kundër SHBA dhe të bashkohen të gjithë në qëndrimin që jemi kundër SHBA, Britanisë së Madhe po ashtu dhe BE dhe jemi me Berishën.
Kaq e thjeshtë është. Pas kësaj, ata janë vërtet aleatë të Berishës. Kurse kështu që duan të jenë dhe me SHBA dhe me Britaninë e Madhe dhe me Berishën, janë qesharakë, pasi as Berishën nuk e ndihmojnë dhe as ndërkombëtarët nuk i bëjnë dot partnerë.
Së dyti duhet t’ia bëjnë të qartë elektoratit të tyre se bashkë me Berishën duan të fitojnë pushtetin kundër vullnetit të SHBA, BE, Britaninë së Madhe dhe kujtdo tjetër. Pra duhet të marrin pozicion kundër tyre, dhe jo të bëjnë sikur janë dhe me ata dhe me Berishën. Dhe së fundmi, një gjë që vlen me shumë për deputetët e PD që bashkë me Gazmend Bardhin i janë afruar Berishës. Mos u afroni me Berishën duke menduar se i rregulloni atij biografinë duke i thënë që ne jemi edhe me SHBA, por dhe me ty.
Sali Berisha ka një shkollë politike të qartë. Ai të do ose me atë ose kundër tij. Në këtë rast atij nuk i duheni të jeni dhe me SHBA dhe me atë. Atij i duheni ose me atë kundër SHBA, ose me SHBA kundër tij, siç është Basha. Ai urren të gjithë ata që duan të jenë me dy palë. Ndaj mos rrezikoni të humbisni dhe Perëndimin dhe Berishën. Bëhuni me njërin. Në këtë rast jeni nisur tek Berisha dhe bëhuni qartë me të, se do ngeleni pa punë pas disa muajsh.