Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mbajti fjalën në panelin me temë “Instrumentet e BE-së për Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale sipas Kapitullit 20 të Negociatave të Anëtarësimit: Përshpejtimi i Integrimit për Rritje të Qëndrueshme dhe Tween Transition.
Ajo u shpreh qe qeveria ka intensifikuar marrëdhëniet me biznesin, me fokus dëgjimin dhe adresimin e shqetësimeve të tyre. Ministrja shtoi se “Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë që sot jemi në një momentum historik, në një momentum të artë, kur Shqipëria tashmë ndodhet e ulur në tryezën e negociatave të anëtarësimit , e përfaqësuar nga grupe që vijnë nga radhët e administratës shqiptare, por të cilët janë vlerësuar shumë pozitivisht për performancën dhe profesionalizmin e tyre”.
Balluku theksoi se paketa prej 6 miliardë eurosh e Bashkimit Evropian, do të aksesohet përmes granteve dhe kredive dhe që është e destinuar për rajonin tonë.
Fjala e plotë e Belinda Ballukut:
Ne tashmë shihemi shumë shpesh me njëri-tjetrin, e kemi intensifikuar këtë marrëdhënie, ashtu siç duhet, mes Qeverisë dhe biznesit. Kemi ngritur një kanal komunikimi të pastër me njëri-tjetrin dhe ajo çfarë është më e rëndësishme është që sot ne adresojmë shqetësimet tuaja dhe na ana tjetër ju mirëkuptoni politikat tona dhe përgatiteni për to.
Unë do ta nisja duke i uruar Arben Shkodrës suksese në detyrën më të re që ka marrë, si Sekretar i Këshillit Ekonomik Kombëtar, një detyrë shumë e rëndësishme që unë duke e njohur nga afër Benin dhe duke ditur të gjithë mënyrën se si ai punon, insistimin dhe entuziazmin me të cilin e bën punën, mendoj që do ta çojmë në një nivel tjetër bashkëpunimin. Mendoj që Këshilli Ekonomik Kombëtar do të fillojë të funksionojnë ashtu siç duhet dhe ashtu siç parashikohet në mënyrën e tij të funksionimit dhe besoj që të gjithë ju këtu që jeni në sallë dhe që Arben Shkodrën e keni bashkëpunëtor prej kohësh do të gjeni akoma dhe një derë tjetër të hapur, përveç asaj që keni pasur deri më sot.
S3, e përsërisim dhe e themi, por ndoshta është koha për të identifikuar edhe punët e mira që bëhen është një platformë e cila na ka dhënë mundësi që ne të kemi një dialog të hapur me më shumë se 1300 përfaqësues të biznesit, të shoqërisë civile, akademikë, duke na krijuar kështu mundësinë e një ndërveprimi të dendur, në këto muajt e fundit, që tashmë e kanë ngritur strukturën e tij, e ka një shtyllë kurrizore dhe duhet vetëm që ta intensifikojmë dhe të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, mos të bëjmë atë gabimin që e nisim një program, një platformë, me shumë dëshirë dhe pastaj rrugës venitet dhe pastaj harrohet.
Kjo është diçka që unë jam e angazhuar personalisht dhe nuk do të ketë asnjë mundësi që ta lemë pas dore, dhe siç Beni e bëri me radhën e tij, unë dua të falënderoj drejtuesen e ekipit kombëtar, Linda Pustina, dhe jam shumë e sigurt që Linda nuk është nga ato që lë asgjë pas dore.
Që të vijmë tek takimi i sotëm. Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë që sot jemi në një momentum historik, në një momentum të artë, kur Shqipëria tashmë ndodhet e ulur në tryezën e negociatave të anëtarësimit, e përfaqësuar nga grupe që vijnë nga radhët e administratës shqiptare, por të cilët janë vlerësuar shumë pozitivisht për performancën dhe profesionalizmin e tyre. Gjej dhe një herë rastin të falënderoj kryenegociatoren, të cilën e kam në krahun tim të djathtë, Majlinda Dhukën, një kolege ime e hershme, kemi qenë që të dyja në Bashki të Tiranës, si shumë kolegë tanë të tjerë, dhe sot Majlinda drejton me aftësi këtë grup negociator që përfaqëson vendin tonë dhe sa më shumë ne ulemi në tryezat e Brukselit, sa më shumë ne ndërveprojmë me Komisionin apo me të gjithë strukturat e tjera të Bashkimit Europian kemi filluar të identifikojmë fusha ndërveprimi të rëndësishme, sidomos ato ekonomike.
Kështu që sot ka ardhur momenti që ne të diskutojmë me njëri-tjetrin dhe të punojmë për ngritjen e infrastrukturës dhe të instrumenteve të duhur, të cilët do ti shërbejnë biznesit për të aksesuar fondet e programeve ekonomike të Bashkimit Europian, fonde të cilat janë aty, por që fatkeqësisht është diçka që e kemi konstatuar sepse nuk jemi këtu për ti thurur lavde njëri-tjetrit, por edhe për të thënë të vërtetat siç janë. Kemi konstatuar që nuk e kemi pasur deri më sot një strukturë, nuk e kemi pasur një instrument për të mbështetur dhe për të udhëhequr sipërmarrësit tanë në këtë proces të ri për Shqipërinë, por që ka kohë që ndodhet aty dhe që vendet e tjera edhe ato të rajonit e kanë aksesuar. Kështu që ky është momenti për të bashkëpunuar dhe për t’ju krijuar ju mundësinë që të aksesohen të gjitha këto programe, të cilat unë do t’ia lë Majlindës që ti detajoj, por që nga ana tjetër duhet thënë që një nga programet që tashmë është i hapur dhe shumë i rëndësishëm është Growth Plan. Growth Plan e cila është një paketë prej 6 miliardë eurosh që do të aksesohet përmes granteve dhe kredive dhe që është e destinuar për rajonin tonë.
Nga ana tjetër duhet pasur parasysh që një program shumë i rëndësishëm është Horizon, i cili ka një disponueshmëri prej 95.5 miliardë eurosh, të cilat përmes konkurrencës, përmes projekteve dhe përmes instrumenteve të ndryshëm që ne do të diskutojmë me njëri-tjetrin mund të aksesohet nga bizneset private për të mbështetur iniciativat e tyre, projektet e tyre në sektorë të ndryshëm dhe sigurisht siç tha edhe Arbeni duke pasur parasysh të gjitha ato kritere dhe axhenda prioritare të Bashkimit Europian.
Unë dua t’ju falënderoj për të gjithë bashkëpunimin. Dua t’ju falënderoj për mënyrën sesi punoni ngushtësisht me ne. Qeveria Shqiptare tashmë ka edhe një ministër, i cili merret me sipërmarrjen dhe me klimën e biznesit dhe Delina duke qenë se vjen edhe nga një eksperiencë e mëparshme dhe e njeh shumë mirë sektorin e sipërmarrjes përmes detyrës së Ministrit të Financave, unë jam shumë e sigurtë që do të jetë një krah i fuqishëm pranë jush për të realizuar të gjitha këto që ne themi, që nuk janë as fjalë, nuk janë as propagandë, por janë programe të mirëfillta ekonomike në dispozicionin tuaj.
E vetmja gjë që ne duhet të ngremë sot janë instrumentet për të pasur një aksesim sa më të plotë, sa më të shpejtë dhe për të qenë në të njëjtin nivel të konkurrencës me të gjithë sektorët e biznesit privat në rajonin tonë.