Në pranverën e vitit 1992, në 22 mars u zhvilluan zgjedhjet parlamentare që i dhanë fund një krize gati dyvjeçare të fillimit të tranzicionit shqiptar. Në këto zgjedhje PD fitoi me 62.09 % të votave.

Në librin “Deformimi i PD” me autor Blerim Çela, botuar nga DITA jepen debate të mbledhjes së kryesisë së PD, pikërisht pas zgjedhjeve të 22 marsit.

“Më 22 mars 1992 PD fitoi bindshëm, fitova edhe unë në Tepelenë. Më 23 mars u bë një miting i madh ku foli z.Berisha dhe unë isha në krah të tij dhe të ambasadorit të SHBA-së, z. Rajerson… Në 2 prill 1992 u bë mbledhja e kryesisë së PD për të vendosur postet kryesore në shtet.

I pari foli Gramoz Pashko, i cili tha: “Populli kërkon një njeri të fortë e karizmatik dhe ky është Saliu, jam për president të fortë. Vendimet e qeverisë duhet të miratohen e të firmohen nga presidenti, pra do kontrollojë si ligjvënës”.

Ali Spahia: “Populli e ka vendosur që Ramiz Alia të hiqet dhe po populli e ka vendosur se kush duhet të jetë president”.

Leka Toto: “Populli ka psikologjinë e tij dhe nuk do ndryshime të mëdha legjislative. Presidenti të lidhet me ekzekutivin. Po të gabojë Saliu, morëm fund të gjithë, prandaj duhet ndarje pushtetesh”.

Sali Berisha: “Unë nuk dua të kthehem në Enver Hoxha: edhe në parti, edhe në presidencë. Unë luftova për idealet e demokracisë dhe jo të marr të gjithë pushtetin vetë, se pushteti është i madh, ka prishur burra më të mirë e më të mençëm se unë. Nëse i kthejmë 2 deri në 3 funksione presidentit, them se nuk ka nevojë për më tepër. Kemi Kuvendin popullor, kemi partinë e qeverinë që do të mbështesin njëra-tjetrën së bashku me presidentin”.

Eduard Selami: “Po të kemi një kryeministër të fortë dhe ky të jetë Doktori, do të bëhet pikë goditjeje prandaj duhet të kemi një president me kompetenca më të gjera dhe me një kryeministër që ka kompetencat që ka çdo kryeministër, por jo më të mëdha se të presidentit”.