Vitin e ardhshëm, vendi do të emetojë një Eurobond të ri për të financuar nevojat buxhetore, u shpreh ministri i Financave Ervin Mete, gjatë diskutimit për projektbuxhetin 2024, me deputetët e Parlamentit.

“Përveç Eurobondit, një burim tjetër i rëndësishëm financimi është dhe instrumenti i mbështetjes buxhetore nga organizata ndërkombëtare apo Institucione Financiare Zhvillimi. Aktualisht ne kemi në proces disa mbështetje buxhetore të cilat priten të merren gjatë këtij viti apo dhe gjatë viteve në vijim, kjo në varësi përmbushjes së kushteve paraprake për disbursimin e secilës prej tyre. Më konkretisht do të doja të përmendja (i) financimin e KfË dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) me një vlerë totale prej 100 milionë Euro, mbështetur kjo në Reformën e Sektorit të Energjisë si dhe (ii) mbështetjen buxhetore të Bankës Botërore dhe AFD për politika të një zhvillimi të qëndrueshëm dhe të gjelbërt e cila parashikohet të sigurohet në dy faza, ku aktualisht nga Banka Botërore pritet një financim prej 110.8 milionë Euro deri në fund të vitit 2023”. Sipas ministrit të Financave, nevoja për financim neto nëpërmjet huamarrjes në vitin 2024 është rreth 34.5 miliardë lekë.

“Nuk përjashtohet mundësia gjithashtu e avancimit gjatë vitit 2024 të daljes me Eurobond në tregjet ndërkombëtare, e cila është parashikuar të realizohet në vitin 2025, kjo për arsye të minimizimit të riskut të rifinancimit të vitit 2025”, u shpreh Mete para deputetëve. Projektbuxheti parashikon që vitin e ardhshëm borxhi publik të zbresë nën nivelin 60% të PBB-së, për herë të parë që nga viti 2011.