Deputeti i PS Erion Braçe në Komisionin e Ekonomisë ku u diskutua buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë ka propozuar që periudha e ciklit menstrual për gratë dhe vajzat të njihet si sëmundje dhe të paguhet nga buxheti i shtetit.
“A ka mundësi që grave dhe vajzave tu njihet periudha e ciklit si periudhë sëmundje dhe e paguar. Raport i paguar nga buxheti i shtetit, pasi po e konsiderojnë sëmundje lart e poshtë dhe është mirë që një iniciativë të tillë që nuk kushton shumë, që duhet kalkuluar të përfshihet në iniciativat e ministrisë së Shëndetësisë. E dyta, a ka mundësi që paketën higjeno-sanitare të grave dhe vajzave pikërisht për ciklin ta përjashtojmë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtetit, se nuk i shton asgjë buxhetit të shtetit. Nuk po kërkoj atë që po bën Evropa që ta paguaj qeveria këtë gjë, një herë në muaj, por minimumi po kërkoj që të përjashtohet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtetit”, tha ai.
Të parat në Evropë që mund të marrin leje nga puna për dhimbjet e mentruacioneve pasi u miratua legjislacioni për lejimin e pushimit mjekësor shtesë janë gratë spanjolle. Ligji u jep të drejtën punëtoreve që përjetojnë dhimbje periodike për aq kohë sa u nevojitet, me sistemin shtetëror të sigurimeve shoqërore. Pushimi menstrual aktualisht ofrohet vetëm në një numër të vogël vendesh në mbarë botën, duke përfshirë Japoninë, Indonezinë dhe Zambinë.