Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vitin e ardhshëm në Pogradec do të fillojnë punimet për ndërtimin e lungogjolit. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Pogradec, Rama tha se “akoma s’kemi bërë lungogjolin, që është edhe ambicia e kryetarit të bashkisë Pogradec. E kemi një financim të huaj, por do edhe pak kohë”.
“Do ta fillojmë patjetër vitin e ardhshëm pas sezonit që të mos bllokojmë gjithë sezonin turistik”, theksoi Rama. Kryeministri Rama kujtoi si ishte situata në Pogradec. “Dua t’ju kujtoj se çfarë gjeje kur vije poshtë, pasi zbrisje nga rruga, kapje buzën e liqenit, që duhet ta shikoje mes godinave pa leje deri kur vije këtu”, tha ai.
“Dua t’ju kujtoj që kur ne filluam pastrimin e asaj zone që ishte si një copë Kandahar në mes të një mrekullie. I mbani mend protestat e organizuara nga Tirana, i mbani mend bllokimet e rrugëve. Tani fatkeqësisht u prishën ato biznese, ndërtuan pa leje bënë çfarë bënë, por nuk mund të rrinin aty. Por sa biznese, sa familje, sa ka përfituar ekonomia e këtij qyteti vetëm nga prishja e atyre ndërtimeve pa leje”, tha Rama.
Rama tha se liqeni ishte në Pogradec po ku të vinin turistët siç kanë ardhur këto vite e siç janë dendur këtë vit tek ajo vijë liqeni atje, me ato ndërtime që i derdhnin ujërat e zeza në gjol. Në përfundim të fjalës së tij Rama tha se “jam besimplotë se më e mira është ende e gjitha përpara, kurse më e keqja na e ka marrë të keqen ne dhe më e keqja siç e shihni edhe këto ditë ia ka marrë të keqen Shqipërisë dhe shqiptarëve njëherë e përgjithmonë”.