Rusia e ka sulmuar me raketa kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, si dhe rajonet e afërta të tij për herë të parë pas njw pauze pothuajse dymujore të shtunën, thanë zyrtarët ukrainas.

Po ashtu, forcat ruse i vazhduan sulmet me dronë në lindje dhe jug të Ukrainës.

Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit Kiev, tha se Rusia e sulmoi kryeqytetin me një raketë balistike rreth orës 8:00 mëngjesin e së shtunës.

“Pas një pauze të gjatë prej 52 ditëve, armiku i ka rinisur sulmet raketore në Kiev”, tha Popjo në Telegram të shtunën.

“Raketa dështoi të arrijë në Kiev, mbrojtja ajrore e rrëzoi atë sapo iu afrua kryeqytetit”, shtoi ai. Popko tha se sulmi nuk shkaktoi viktima apo dëme të mëdha në kryeqytet.

Ruslan Kravchenko, guvernatori rajonal i rajonin qendror të Kievit, tha se pesë shtëpi private dhe disa ndërtesa komerciale në atë zonë u dëmtuan. Ai tha se dy raketa ruse ranë në një fushë mes vendbanimeve.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës i rrëzoi edhe 19 dronë iranianë, Shahed, nga 31 sosh që forcat ruse i përdorën për t’i sulmuar rajonet jugore dhe lindore gjatë natës, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës.