Tifoz i Çelsit që prej moshës 3-vjeçare dhe për të mbërritur deri në “Stamford Bridge”, me qëllim realizimin e ëndrrës së tij të fëmijërisë, i është dashur të kalojë edhe përmes rivalëve të Totenhemit. Armando Broja, në një intervistë të gjatë për “The Secret Scout”, ka ripërshkruar edhe njëherë rrugëtimin e karrierës së tij deri në këtë moment, si edhe ka komentuar situatën në cilën ndodhet pas rikuperimit nga ai dëmtim i gjatë në gju.

“Shumë lojtarë do të zhgënjeheshin nga fakti se aktivizohen pak si titullarë, por unë duhet të bëj durim sepse kam lënë pas një dëmtim të rëndë. Tani më duhet edhe një herë të tregoj se kush jam në sytë e trajnerit, stafit, klubit dhe tifozëve. Jam i bekuar që jam në pozicionin ku ndodhem”, thotë sulmuesi 22-vjeçar gjatë intervistës së gjatë, i cili zbulon edhe rivalët më të vështirë që ka hasur në fushë deri në këtë moment. Ai zgjedh dy qendërmbrojtës shumë të fortë, Van Dajk dhe Konate.

Duam të dimë si e nisët futbollin? Si u zbuluat fillimisht dhe ku e nisët?

Isha një fëmijë dhe luajta për Bërnlej Junior, klubi lokal në atë kohë në Slau (vendlindja e Brojës). Ne luajtëm në disa turne kundër skuadrave të tjera të zonës. Luajtëm një turne të madh në atë kohë, ku erdhën disa skautë, ishin zbulues talentesh të klubeve të Redingut, Totenhemit dhe disa prej ekipeve të tjera gjithashtu. Por unë isha me goxha fat kur më erdhi kjo mundësi. Më kujtohet që erdhi Totenhemi për të parë një lojtar tjetër në atë turne. Por unë bëra një turne të shkëlqyer, ku u shpalla lojtari më i mirë dhe golashënuesi më i mirë. Totenhemi kontaktoi prindërit e mi dhe unë isha shumë i emocionuar, sepse nuk kisha qenë kurrë në një akademi të vërtetë më parë. Kisha bërë një provë te Redingu, por nuk kisha qenë kurrë në një akademi me peshë, kështu që ishte e mahnitshme.

Bëtë një provë me Totenhemin?

Po, bëra një provë me Totenhemin fillimisht. Luanin lojtarët që vinin në provë kundër një ekipi të akademisë së tyre, me lojtarët kryesorë të moshave 7-8 vjeç. Luajtëm një ndeshje kundër tyre dhe unë luajta shumë mirë. Rashë në sy atje dhe ata thanë: “Ne do firmosim me ty”. Ishte një eksperiencë shumë e bukur për mua.

Gjatë kohës në akademinë e Totenhemit, luajtët në ndonjë pozicion të ndryshëm?

Po, në atë moshë ti eksperimenton në pozicione të ndryshme. Kam luajtur qendërmbrojtës, mbrojtës krahu, portier, mesfushor, sulmues krahu, kudo. I kam provuar të gjitha pozicionet.

Kur ndodhi transferimi te Çelsi, a ishit duke luajtur në një nivel të lartë?

Unë kam qenë gjithnjë tifoz i Çelsit, që kur isha fëmijë 3 vjeç. Ai ishte klubi ku unë doja gjithnjë të luaja. Sa herë luanim kundër Çelsit mes akademive, unë hyja në fushë për të dhënë 150% që t’i befasoja ata. Një ditë po luanim kundër skuadrës A dhe B, ku unë nuk isha titullar dhe isha i zemëruar, sepse doja të isha në fushë për t’u bërë përshtypje skautëve. Ne po humbnim 2-0 dhe unë hyra në fushë. Shënova një gol dhe dhashë një asist, kështu barazuam 2-2. Pastaj shkuam në fushën tjetër për të luajtur kundër skuadrës tjetër të Çelsit dhe fituam 9-1 mos gaboj dhe ishte e mahnitshme. Prej atëherë ata i telefonuan prindërve të mi dhe nuk kishte më dyshime për mua. Doja t’u bashkohesha atyre menjëherë.

Ju kujtohet dita e parë kur shkuat te Çelsi?

Sigurisht, ishte një çmenduri. Ishte një nga ditët më të bukura të jetës time. Isha aq i lumtur. Isha një fëmijë që e kisha ëndërruar të shkoja në “Cobham” (qendra stërvitore) dhe në “Stamford Bridge”. Pashë lojtarët e skuadrës së parë, isha shumë i emocionuar që po i bashkohesha klubit dhe të bëhesha pjesë e tij. Ishte mahnitëse për mua.

Ju u përmirësuat shumë duke u rritur atje. Çfarë mendonit kur luanit për moshat U-15 apo U-16. Çfarë mendonit për lëvizjen tuaj të radhës? Sepse një nga gjërat e para që ju bëtë, ishte të shkonit në huazim te Viteshe. Disa lojtarë dëshirojnë që të qëndrojnë në Angli. Çfarë ju bëri të mendonit: “Po, dua të shkoj në Holandë”.

Pata disa biseda me lojtarët që kanë qenë më parë atje. Mejzon Maunt është një shok i mirë i imi, kështu që unë fola me të dhe me Endi Majers, i cili ishte një trajner te Çelsi. Shumë njerëz në klub më thanë gjëra pozitive për klubin, me të cilin Çelsi kishte një marrëdhënie shumë të mirë. Në mendjen time ishte gjithnjë skuadra e parë e Çelsit, por ishte një shans i mirë për të shkuar në huazim, për të lënë përshtypje të mira te njerëzit. Mendoja që duke fituar eksperiencë në fushë do të më ndihmonte më shpejt sesa duke qenë vërdallë në klub duke luajtur ndeshje të akademisë.

Cili ishte dallimi më i madh i të luajturit në akademi dhe futboll të vërtetë profesionist?

Ndryshon intensiteti. Nuk është e njëjta gjë. Presioni, stërvitja. Kërkesat kur luan futboll kompetitiv janë më të larta. Gjithçka që ti bën do të shikohet, prandaj ti duhet të jesh në maksimum si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje.

Ju bëtë një sezon të mirë me Viteshen, ku luajtët me skuadrën e parë. U kthyet në Angli dhe u huazuat te Sauthemptoni. Më tregoni pak, sepse shkuat në një tjetër mjedis. Si ishte tranzicioni për një lojtar të ri që shkonte i huazuar te Sauthemptoni?

Të jem plotësisht i sinqertë, ishte një kapërcim i madh të shkoje nga Viteshe direkt në Premier Ligë. Nuk kishte një shkallë graduale, për shembull të luaje në Championship fillimisht dhe pastaj në Premier Ligë. Por unë kisha gjithnjë besim te vetja, i njihja cilësitë e mia dhe atë që mund të bëja. E dija që mund të isha një aset për ta. Nisja ishte sigurisht e vështirë. Nuk ishte një lundrim i qetë në fillim. Ishte e vështirë të hyje në skuadër. Ishte një hap më i madh se të luajte në Holandë me Viteshen. Në fillim nuk po shkonte mirë, por pasi pata disa biseda me lojtarë të tjerë, trajnerin, nisa të kuptoj se çfarë donin prej meje dhe nga ne si skuadër. Kur nisa të kuptoj se çfarë prisnin nga unë, gjërat nisën të shkojnë mirë për mua.

Duke parë nga e shkuara, shumë lojtarë që shkojnë në huazim nuk funksionon, por me ju te Sauthemptoni, siç e thatë, ishte e vështirë në fillim, por falë mentalitetit ju nisët të luani dhe shënoni dhe tani jeni në klub.

E thashë që në fillim ishte e vështirë. Unë mendoja se nuk po luaja, nuk isha përfshirë në skuadër, po stërvitem, më pëlqen trajneri, nuk më pëlqen trajneri? Këto lloj pyetjesh i bëja vetes. Por mendoja gjithnjë se “nuk po luaj tani, por trajneri do të më zgjedhë”. Dhe kështu i kam menduar gjithnjë gjërat. Do të bëj më shumë që të më zgjedhë. Duhet të punoj shumë në stërvitje për t’i dhënë arsye trajnerit që të më përfshijë. Pastaj pata disa ndeshje kupe ku hyra dhe shënova. Pastaj ftesat në kombëtare, u ktheva dhe kjo ishte një periudhë që më ndihmoi me vetëbesimin. Dhe kur trajneri më dha shansin, doja ta shfrytëzoja.

U larguat si sukses nga Sauthemptoni, u kthyet te Çelsi dhe shënuat edhe golin e parë në “Stamford Bridge”. Më tregoni pak.

Një nga ditët më të bukura ishte të firmosja me klubin, por kjo e tejkaloi. Të shënoja për klubin ishte një ëndërr e bërë realitet. Ishte një ditë speciale për mua. Më pëlqen të shënoj dhe ta bëja në “Stamford Bridge” e bëri më speciale.

Pastaj shkuat nga kjo pikë e lartë, në më të ulëtën, dëmtimin e rëndë. Ai ishte ky një prej dëmtimeve më të rënda që keni pësuar në karrierë?

Po, padyshim më i rëndi që kam pasur, një nga pikat më të ulëta që kam pasur deri tani sa i përket mentalitetit të largimit nga futbolli për pak kohë. Nuk ishte e lehtë.

Si e menaxhuat, çfarë mësuat nga ajo eksperiencë?

Shikoja ndeshjet, analizoja stërvitjen e shokëve dhe faktin që ti nuk përfshihesh. Të bënte me dhimbje koke, por unë kam qenë gjithnjë pranë tyre dhe kjo më bëri që të qëndroj më pranë tyre. Kjo më mësoi sesa shumë e dua sportin dhe të bëj më të mirën për veten dhe skuadrën.

U rikthyet në ndeshjen me Sitin dhe patët një impakt pasi hytë në fushë…

Shumë lojtarë janë të zhgënjyer me mungesën e minutave, por unë mendoj thjesht se jam i vetëdijshëm që jam kthyer nga një dëmtim i gjatë dhe tani duhet të tregoj dhe provoj veten time përsëri, trajnerit, stafit, tifozëve. Jam i bekuar që jam në këtë pozicion, jam mirënjohës që kam mundësinë për të hyrë dhe ndikuar ndeshjet duke ndihmuar skuadrën. Fatmirësisht e bëra në ato dy minuta që luajta. Fillimisht mendova ta kontrolloj topin dhe godas, por pastaj pashë hapësirën dhe lëvizjen e Diazit, prandaj vendosa ta shmang. Ai më preku në këmbë dhe fituam atë penallti.

Pyetja e fundit, cili është mbrojtësi më i vështirë me të cilin jeni përballur?

Kam luajtur me shumë mbrojtës, por të luaje kundër Van Dajkut ishte shumë bukur, Konatesë gjithashtu. Ata janë të gjatë, trupmëdhenj, të shpejtë. Ata kanë shumë tipare, të cilat i kam edhe unë gjithashtu. Çdo mbrojtës është i vështirë. Por po, qendërmbrojtësit e Liverpulit janë shumë të vështirë për të luajtur kundër./Panorama Sport