Bizneset kanë ulur kërkesën për kredi gjatë këtij viti, duke reflektuar një përmirësim të gjendjes së tyre të likuiditetit ku ndikim të fortë pozitiv ka pasur ecuria e turizmit.
Banka e Shqipërisë thotë se gjatë kësaj periudhe janë ulur interesat e kredive në lekë, çka ka bërë që sipërmarrja të drejtohet drejt huamarrjes në monedhën vendase, e cila është rritur me 16 miliardë lekë gjatë këtij nëntëmujori.
“Një tendencë tjetër e vërejtur gjatë vitit 2023, ishte zhvendosja e portofolit të kredisë për biznese nga kredia në valutë – kryesisht euro – në kredi në lekë. Kjo zhvendosje është motivuar nga diferenca në rënie midis interesave në lekë dhe atyre në euro, por edhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit. Në fund të muajit shtator, kredia në valutë ishte 1.3% më pak se një vit më parë. Në fund të muajit shtator, kredia në lekë për biznese shënonte një zgjerim vjetor prej 7.6%, ndjeshëm më e lartë se rritja mesatare prej 1% e gjashtëmujorit të parë të vitit”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Referuar raportit norma e interesit për kreditë në lekë në tremujorin e tretë të vitit ishte 6.4% nga 6.9% që ishte në gjysmën e parë të vitit. Interesat janë më të ulta për bizneset e mëdha që marrin shuma mbi 35 milionë lekë, ne 6.1%, kurse për bizneset e vogla interesat arrijnë deri 7.4%.
Kurse interesat për kreditë në euro janë rritur nga 6.4% në tremujorin e parë të vitit nga 5.4% që ishte një vit më parë. Sipas bankës kjo rritje e interesave ka ardhur për shkak të rritjes së normës bazë të interesit nga Banka Qendrore Evropiane.
Sa i takon kushteve të kredive, bankat janë treguar më të kujdesshme ndaj rreziqeve thuhet në raport dhe një nga elementët që kanë shtrënguar në dhënien e kredisë ishte kushtëzimet në marrëveshjet e kredisë, duke dhënë kredi në madhësi më të ulta se një vit më parë.
Megjithatë, në tremujorin e tretë të vitit, bankat perceptuan një situatë makroekonomike më të favorshme dhe një perspektivë optimiste për treguesit kryesorë makroekonomikë.