Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, përmes një postimi në Facebook, njofton se gjatë operacionit Tempulli deri më tani janë arrestuar dhe proceduar 440 shtetas.
Balla shkruan se vetëm në 24 orët e fundit janë goditur tre raste të shitjes së dorës në doza të vogla, ndërsa thekson se goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, vijojnë.
Postimi i Ballës:
Operacioni Kombëtar i Policisë së Shtetit “Tempulli” shënon deri më tani 440 të arrestuar/të proceduar. Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjatë 24 orëve të fundit, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli” janë goditur 3 raste të tjera të shitjes së dozave të lëndës narkotike cannabis sativa, në Vlorë dhe në Kukës, si dhe është kapur dhe ndaluar në Tiranë, një shtetas i dënuar me burgim, për krime në fushën e narkotikëve. Për këto 3 raste, Policia sekuestroi mbi 500 doza të lëndës narkotike cannabis sativa, mjete për përgatitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike.