Majlinda Dehima është edukatorja që punon në kopshtin privat “Stinët” në zonën e Ali Demit. Në këtë kopsht, dyshohet se një vajze 3-vjeçare iu thye këmba në rrethana ende të paqarta.
Prindërit e fëmijët u njoftuan për episodin e rëndë nga një telefonatë nga kopshti, në orën 15.00 shumë pasi e mitura ishte transportuar në pediatri, më 1 nëntor. Nga kopshti i thanë se vajzën e kishte pickuar diçka dhe këmba i ishte fryrë. Duke parë gjendjen e vajzës, mjekët e sugjeruan ta çojnë në spitalin e Traumës, ku nga grafia rezultoi se thyerje në pjesën e kofshës.
Nga disa momente të kamerave të sigurisë së kopshtit, të datës 1 nëntor, prindërit dyshojnë që ngjarja të ketë ndodhur rreth orës 10:00 të mëngjesit, pasi aty është episodi i parë që edukatorja shfaqet e shqetësuar në mesin e fëmijëve në dhomën e vizatimeve.
Vajza 3-vjeçare hyn pas pak në dhomë duke qarë, dhe si të mos mjaftonte aksidenti apo dhuna e ushtruar ndaj saj (këtë do e ndajnë hetimet), edukatorja e godet të voglën me vizore, e tërheq nga dora dhe e ul me forcë në një karrige. Duke parë lëvizjet e vajzës së vogël, kuptohet që ajo ka dhimbje, dhe çfarë t’i ketë ndodhur, është shënuar para se ajo të hynte në dhomën e vizatimit, pra shumë herët në mëngjes, dhe jo në orën 15:00 kur prindërit janë njoftuar se diçka e pickoi në këmbë!
Prindërit thanë në emisionin “Stop” se te Spitali i Traumës oficeri i policisë gjyqësore nuk i mori denoncim dhe askush nuk e referoi ngjarjen. Rasti tashmë u hetua fillimisht nga komisariati numër 1 dhe tashmë materialet i janë dorëzuar prokurorisë së Tiranës, por ndërkohë nuk ka asnjë të ndaluar dhe kopshti privat vijon të jetë i hapur.