Kryeministri Edi Rama, përsëriti serish qëndrimin e tij në lidhje me çështjen e Fredi Belerit, ku nënvizoi se nuk është vendim i qeverisë, por i drejtësisë. Rama tha ata nuk kanë vënë në lëvizje qeverinë që ta shkarkojë pavarësisht se nuk është paraqitur në detyrë. Rama tha se Greqia edhe mundet që ta bllokojë integrimin, por kjo nuk është çështje e BE-së apo integrimit.
‘Opinioni që unë kam marrë është ai që më ka vendosur në këtë pozicion ku jam, që nuk e kemi vënë në lëvizje qeverinë për të shkarkuar kryetarin e zgjedhur të bashkisë së Himarës pavarësisht se ai nuk është paraqitur në detyrë. Sa i takon presionit që thoni ju e kam thënë opinionin tim nuk dua të komentoj për këtë sa herë që pyetëm. Qeveria nuk është palë në këtë histori. Bëhet fjalë për një individ që është arrestuar në flagrance për blerje votash, është në pamundësi të bërjes së betimit qeveria nuk ka këtu asnjë rol për të luajtur.
Kjo nuk ndodh të vëmë sistemin e drejtësisë në funksion të kërkesave nga të huajt. Kjo është e prerë ne nduk ndërhyjmë për asnjë arsye dhe asnjë formë në punë e institucioneve të drejtësisë dhe aq më pak të institucioneve të reja. Janë produkte të një përpjekje që e kemi udhëhequr ne, realizuar ne. Reformën në drejtësi në realitet duhet ta zbatojnë ata dhe ne duhet t’i mbështesim duke mos u përfshirë.
A mundet Greqia të bllokojë? Edhe mundet. Nëse kjo do të ndodhë do të dëgjoni komentin tim. Do të ishte shumë joserioze që Shqipëria që njihet botërisht sot si një vend krejt ndryshe nga ai që ishte qoftë nga opinioni ndërkombëtar i përgjithshëm, të kthyer nga një vend që nuk mungon në toplistat e destinacioneve të preferueshme, të bllokohet për një çështje që nuk është fare çështje e BE-së apo integrimit. Është një çështje që edhe në aspektin bilateral është minore në raport me çështjet e rëndësishëm.’- tha Rama.