Analisti Ilir Yzeiri ka komentuar në Report Tv refuzimin e Sali Berishës për t’u përballur me drejtësinë për aferën Partizani, si edhe lirimin e dhëndrit të tij nga burgu. Yzeiri thotë se drejtësia e ka vënë Berishën me shpatulla pas muri dhe se ish-kryeministri nuk ka më fuqi t’i imponohet.

Për gazetarin Nertil Agalliu, analisti Yzeiri thotë se do të hapen edhe çështje të tjera, si ajo e 21 janarit dhe Gërdeci. Sa i takon sulmeve të Berishës ndaj drejtësisë, Yzeiri thotë se ai është shpallur non grata nga SHBA pikërisht për shantazhin dhe intimidimin ndaj drejtësisë.

“Kemi të bëjmë me një personazh të tillë që për qëndrimin e tij ndaj drejtësie, për imtimidim, ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, është shpallur non grata nga SHBA, si edhe nga Britania. Duhet të presim se do sillet prokuroria me të. Nuk besoj se ka më fuqi Berisha që t’i imponohet drejtësisë shqiptare, ajo e ka vënë me shpatulla pas muri dhe mesa duket edhe çështje të tjera do hapen.

SPAK ka lënë të kuptohet që edhe çështje të tjera si 21 janari, Gërdeci edhe ato të rihapen se të tillë tregues, ka demonstruar dhe SPAK kur ka thënë herë pas herë, që është çuar letërporosi në SHBA. Nga Strasburgu erdhi vendimi që e quan krim shtetëror vrasjen e 21 janarit. Në hetim është edhe CEZ-DIA, që prek Metën, por është i përfshirë dhe Berisha dhe djali i tij”, tha Yzeiri.

Sa i takon konfliktit të interesit të gjyqtares Ilijana Olldashi, Yzeiri tha se vendimi i kësaj gjyqtareje i ka shkaktuar vdekjen një të burgosuri, por nga ana tjetër dërgoi në shtëpi dhëndrin e Berishës. Bëhet fjalë për Enver Sheshin, të cilit Olldashi i caktoi “arrest me burg”, ndonëse avokati i Sheshit i kishte parashtruar raportet shëndetësore në GJKKO së Apeli, por ishte refuzuar nga Olldashi.