Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Bajram Currit, Rexh Byberi si dhe drejtues të institucioneve vendore. Ministri Balla theksoi se në Tropojë gjatë viteve të fundit është investuar më shumë se të gjitha qeveritë e tjera të marra së bashku, investime të cilat do të vijojnë edhe në vitin 2024.

“Vëmendja e qeverisë ndaj Tropojës ka qenë e lartë, janë financuar një sërë projektesh. Pashë një pjesë të tyre kur kalova dhe padyshim që do vazhdojë të jetë mbështetja e kryeministrit Rama dhe qeverisë.”

Dy javë nga mbyllja e vitit 2023, numri i turistëve në Tropojë po i afrohet 200.000 vizitorë dhe lidhja përmes bjeshkëve me Malin e Zi dhe nga ana tjetër, hapja e pikës së kalimit kufitar do ta rriste ndjeshëm numrin e turistëve në Tropojë. Sipas ministrit të Brendshëm Tropoja është një nga bashkitë me nivele shumë të ulëta kriminaliteti gjatë këtij viti.

“Për të koordinuar më së miri me Policinë e Shtetit të gjithë veprimtarinë, qoftë në kuadër edhe të Paketës së Sigurisë në shkolla, por edhe për të mos lejuar që Alpet tona të bukura të vijojnë të shfaqet kultivimi i lëndëve narkotike.”

Nga viti 2019 nuk është regjistruar ne Tropojë asnjë ngjarje kriminale me pasojë humbje jete. Kryetari i Bashkisë u shpreh se Tropoja kaloi një periudhë të vështirë të 1997, që i kushtoi shumë, por sot është ndër qytetet më të qeta dhe të sigurta në vend. Taulant Balla në Tropojë shkoi me një listë të gjatë të krimeve të rënda si vrasje, zhdukje personi, të ndodhur në vitet 97-98 që ende sot janë pa autorë.