Ish-kryeministri Sali Berisha duhej të paraqitej ditën e sotme në SPAK në zbatim të masës ‘detyrim paraqitjeje’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’, dhënë ndaj tij nga GJKKO më 20 tetor për aferën ‘Partizani’. Por teksa Berisha duhej të ishte para oficeres së policisë gjyqësore të SPAK, Adelajda Metaj, ai u shfaq në Kuvend bashkë me mbështetësit e tij duke krijuar kaos.
Berisha refuzon që të përballet me drejtësinë për këtë aferë dhe deri më tani nuk është paraqitur për masat e sigurisë në muajin nëntor. Ditët që Berisha duhej të shkonte para SPAK, ai ka zgjedhur që të strehohet në Kuvend duke sulmuar drejtësinë.
Nëse Berisha vijon refuzimet ndaj drejtësisë, ai rrezikon masë më të rëndë si ajo ‘arrest shtëpie’. Po sot, duhet të paraqitet në SPAK edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, i cili deri më tani në ndryshim nga Berisha është paraqitur para oficeres së Policisë Gjyqësore. Bektashi akuzohet për bashkëpunim me Jamarbër Malltezin në korrupsion e pastrim parash me qëllim përfitimin e 5.4 milionë eurove nga dhëndri i ish-kryeministrit.
Kujtojmë, që Apeli i GJKKO ka refuzuar ndryshimin e masës së sigurisë për Berishën. Ishte gjytarrja në konflikt interesi që mori vendimin, ndërsa liroi nga paraburgimi dhëndrin Jamarbër Malltezi. SPAK do e vijojë betejën e ligjore për të kthyer në burg Jamarbër Malltezin, pasi i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë.