Nga Brixhilda Xhuraj
Se demokratët e Shqipërisë – (më saktë ato të Rithemelimit të Sali Berishës) – mbajtën një Kuvend Kombëtar këtë të shtunë të 2 dhjetorit nuk është asgjë e re.
Tre muaj më parë, më 2 shtator, ishte Partia zyrtare Demokratike, e cila mblodhi Kuvendin e saj.
Pas një viti, e dy vitesh, demokratët sërish përballen me rezoluta, shkarkime dhe votëbesime.
Këto të fundit për Berishën janë aspak ligjore, duke qenë se në fund të ditës ai nuk figuron askund – pa logo, pa parti dhe me një emër akoma më të njollosur.
Prandaj nuk mund të fajësohen deputetët demokratë që këtë herë zgjodhën të mos ishin pjesë e grumbullimit të ish-kryeministrit.
Të 17 deputetët e grupit të Gazmend Bardhit nuk u shfaqën askund.
Madje as ato të cilët Berisha i kishte afruar tashmë, si shembulli i Ervin Salianjit, i cili kishte edhe disa kritika.
Ai u shpreh se, korrigjimet janë të pamjaftueshme dhe se janë të domosdoshme ndryshimet e thella për t’i hapur rrugën më të mirëve dhe të rinjve.
Pra për të, duhet një transformim, rikonceptim, ridimensionim i qasjes ndryshe me qytetarët dhe vetveten.
Por dështimi i Berishës këtë herë u pranua edhe nga vetë deputetët pjesëmarrës.
Ndër rreshta ata theksuan se sot nuk ishte dita më e mirë për këtë opozitë.
“Nuk janë ditët më të mira”. “Mos na numëroni sa jemi, por lexoni idealet që kemi”.
Këto ishin fjalët e Edi Palokës dhe Luçiano Boçit nga podiumi, të cilët mesa duket këtë herë vendosën të mos mburren me shifrat.
Me krenari thuhej dikur se në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021 ishin gati 5 mijë delegatë, e ndërsa sot më pak se 1 mijë e 500.
Po në këto pozita çfarë solli Kuvendi i sotëm i Berishës, ku qëndronte ndryshimi me të tjerët?
Ndryshe nga çdo grumbullim tjetër, ky Kuvend solli edhe fjalimin e parë të vajzës së Sali Berishës, Argita Malltezi.
Edhe pse Berisha pranoi se ajo ka qenë një aktiviste që në ditët e para të themelimit të PD-së, e sotmja ishte hera e parë që ajo mban një fjalim në takim politik, me fokus organizimin e opozitës.
Duket se pas akuzave ndaj bashkëshortit dhe babait të saj, Malltezi i ka shpeshtuar daljet publike – aq sa po flitet se mund të jetë trashëgimtarja e kësaj pjese të opozitës.
Vetë protagonistët e kanë mohuar një skenar të tillë, duke e cilësuar shfaqjen, thjesht një shprehje e mendimeve të saj personale.
“Në cilën pikë të rrugëtimit tonë gabuam që jemi në këtë gjendje?”
“Popujt që flenë në demokraci rrezikojnë të zgjohen në diktaturë”.
“Nëse sot shpresa është vrarë është detyra jonë ta kthejmë atë. Kjo kërkon që ne të ngrihemi edhe njëherë”.
Këto ishin mendimet vetjake të Malltezit, e cila ashtu siç pranoi vetë, bën thirrje si një person që i përket shtresës së mesme ( dhe pse bashkëshorti i saj, Arbër Malltezi, po gjykohet për kontratat miliona eurosh).
Pra, Malltezi, si vajza e Berishës u bëri thirrje shqiptarëve të ngrihen, të bashkohen me aksion opozitar, që për fat të keq nuk ka opozitë brenda tij.
Deputetët e Bardhit dhe të tjerët kanë zgjedhur t’i bashkohen Berishës vetëm në takime brenda Kuvendit.
Nuk ka një strategji të përbashkët për ta, përveçse djegies, tymit dhe zhurmimit në sallën e Kuvendit.