Analisti Frrok Çupi, në një intervistë në “Tirana Live” në ABC, deklaroi se në Partinë Demokratike prej kohësh ka humbur shpresa, duke shtuar se deputetët e kanë të vështirë të shkëputen nga Berisha.

Gjithashtu Çupi theksoi se ‘fenomeni’ Berisha i kishte zënë rrugën shtetit dhe zhvillimit, duke nënvizuar se në kohën kur ishte në pushtet keqpërdori shtetin dhe në kohën kur u largua nga pushtetit e tërhoqi zvarrë shtetin si viktimë të tij.

“Këta edhe kur nuk e kanë liderin vazhdojnë të mbetët po njësoj. Bardhi dhe tjerët, një orë janë me njërin, pastaj dalin dhe thonë se janë me diçka tjetër. Pra janë ende zogj që nuk dalin dot nga veza e Berishës. Por është tjetër gjë populli dhe tjetër gjë partia politike. Këta nuk kanë guximin të largohen dhe të shohin punët e tyre. Berisha më në fund mori atë që ka merituar gjithë jetën. Duheshin vetëm 60 sekonda për të bërë zero një njeri që shprehej se jam i fortë, por nuk ishte. Ndarja nga Sali Berisha e shtetit shqiptar është një fitore e madhe. Fenomeni Berisha i kishte zënë rrugën shtetit dhe zhvillimit. Në kohën kur ishte në pushtet e keqpërdori shtetin dhe kur nuk ishte në pushtet e tërhoqi zvarrë si një viktimë të tij. Organizata e Sali Berishës, ka dy presidentë të republikës, dy kryeministra, dy tre qeveri që janë të gjitha të futura në krim. Piramidën e vet të vogël e kishte futur brenda organizatës kriminale”, tha ndër të tjera ai.