Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë Ministerialit të zhvilluar në kuadër të COP 28, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka zhvilluar një sërë takimesh me kolegë homologë nga vende të ndryshme të botës dhe përfaqësues nga Sekretariati i Energjisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Balluku tha se këto takime janë një mundësi e mirë për të analizuar dhe koordinuar së bashku mbi objektivat e rëndësishëm që kemi përpara, si trefishimi i fuqisë së instaluar të burimeve të rinovueshme në shkallë globale dhe vendosja e eficiencës së energjisë në fokus të çdo projekti e politike.
“Në emër të qeverisë shqiptare, prezantova gjatë Ministerialit të zhvilluar në kuadër të COP 28, të gjitha zhvillimet që ka bërë vendi ynë në fushën energjetike, projektet e reja që kemi planifikuar të ndërmarrim sa i takon eficiencës së energjisë, si dhe arritjes së targeteve për të cilat jemi angazhuar”, theksoi Balluku.
Më herët në një prononcim për mediet, Balluku tha se “123 vende kanë firmosur një deklaratë të përbashkët, me angazhime të mirëfillta për çdo qeveri. Jemi angazhuar që në vitet në vazhdim ne do të kemi një rritje të mbrojtjes së eficiencës së energjisë me 2% akoma më shumë, nga 2% në 4%. Në ndërkohë, duhet vendosur eficienca energjetike në krye të listës së çdo projekti, të çdo politike dhe të çdo angazhimi qeveritar për këto 123 vende, të cilat kanë pranuar këtë deklaratë”.