I ftuar në emisionin “Përballje”, gazetari Namir Lapardhaja u shpreh se Lulzim Basha ka folur me vendimin e 9 shtatorit dhe gjithçka tjetër është rishkrim i atij vendimi.

Sipas tij, Basha i ka dalë borxhit Sali Berishës, ashtu sikurse u ka dal borxhit edhe demokratëve që e ndjekin atë. Lapardhaja u shpreh se ata që i kërkojnë llogari deputetëve të PD-së pse nuk morën pjesë në seancë, janë të njëjtët që do t’i tregonin me gisht po të kishin marrë pjesë në votim.

“Basha dhe PD, nëpërmjet Alibeajt, kanë marrë pjesë në Komisionin e Mandateve, ndërkohë që kanë shprehur mbështetjen e tyre të pakushtëzuar ndaj SPAK-ut, mirëpo prej 3 muajsh Parlamenti ka humbur rëndësinë dhe arsyen legjislative. Aty nuk është zhvilluar politikë, por kemi qenë në shfaqje parapolitike, kështu që PD-ja nuk ka dashur të bëhet pjesë e kësaj shfaqjeje të shëmtuar. Mos të harrojmë se Lulzim Basha e ka thënë dhe e ka paracaktuar atë se çfarë do t’i ndodhte Sali Berishës, madje vetë Berisha e ka përmendur një gjë të tillë. Basha i ka dalë borxhit atij dhe demokratëve që e ndjekin atë, militantëve dhe të gjithë ndjekësve. Ata që i kërkojnë Bashës pse nuk vajti, janë të njëjtët që do ta tregonin me gisht po të kishte shkuar.” – tha ai.

I pyetur se çfarë bëri gabim Berisha gjatë kësaj kohe, gazetari shprehet se, “fatkeqësisht, Berishën e mundi egoja e tij e brendshme dhe frika e madhe nga drejtësia, çka e “detyruan” që të bënte këtë përballje donkishoteske, që rezultoi ashtu siç pritej, e dështuar”.