Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë është shumë e qartë në hapat ligjorë që merr Parlamenti për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e zotit Sali Berisha.
Si organ këshillimor, nuk është Këshilli i Mandateve ai që merr vendimin final. Këtë të drejtë e ka vetëm seanca plenare, por vendimi i Këshillit tregon orientimin e votës në Parlament. Dhe në këtë pikë, nuk ka më diskutime. Parlamenti do të votojë të enjten e 21 dhjetorit për të autorizuar SPAK-un të arrestojë Sali Berishën. Për këtë, i duhet të ketë një raport, që do të bëhet gati brenda të mërkurës, me dakordësinë e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike zyrtare, të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj.
Ky raport i dorëzohet parlamentit që cakton rendin e parë të ditës dhe merr vendim me votim të hapur. Një seancë që nuk pritet të jetë e qetë, edhe për shkak të protestës së paralajmëruar nga opozita.
Përgjithësisht, parlamenti ka votuar pro heqjes së imunitetit të deputetëve, kur është kërkuar nga prokuroria për arrestim. Përjashtim bën rasti i ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për të cilin maxhoranca refuzoi kërkesën e Prokurorisë, duke lejuar vetëm disa masa shtrënguese më të lehta, si ato që ka aktualisht zoti Berisha. Por të enjten nuk do të jetë ky rasti. Pas datës 21 dhjetor, SPAK-u do të ketë autorizimin për arrestin e Sali Berishës dhe i takon prokurorisë të kërkojë më pas arrest me burg ose arrest shtëpie.
Ligji i përfshin të gjitha opsionet. Kërkesa e dy prokurorëve të dosjes Partizani, që e dyshojnë Berishën për korrupsion pasiv të funksionarëve të larte shqyrtohet nga Irena Gjoka, e njëjta gjyqtare që shpalli detyrim paraqitje ndaj ish kryeministrit. Prej javësh avokatët e Berishës kundërshtojnë vendimin e gjyqtares GJOKA me arsyetimin e konfliktit të interesit, pasi është shkarkuar nga detyra , në atë kohë edhe në cilësinë e kreut të KLD. Në përgjigjen e dorëzuar TCH për këtë episode KLGJ pranon se Irena Gjoka u lirua nga detyra në datë 8 shkurt 1996, ndërkohë që e njëjta KLD e emëroi atë sërish në detyrën e gjyqtares në mbledhjen e radhës, datë 23 gusht 1996.