Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi thotë se Sali Berisha është politikani më intrigant në Shqipëri. “Berisha është politikani më intrigant që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Ia kalon gjithë politikanëve, edhe atyre që ka pasur regjimi komunist, është kampion i intrigës. Po të shikosh, çdo hap i tij është me intrigë dhe sidomos kur përfshihet vetë, pjellshmërinë e vet e ka maksimale. Kjo është një diagnozë që bëhet kollaj”, tha ai në studion e News 24.

“Personi që na lidh me të kaluarën është Sali Berisha. Shqipëria e rrëzoi diktaturën komuniste në ‘97-n, dhe nuk e rrëzoi Partia Socialiste por populli. Po të ishte për PS, do të rrinte diktatura akoma në pushtet dhe këtë po them si kryetar i Partisë Socialiste në Fier. Ky person që është simboli i regjimit komunist dhe po themi regjimit me natyrë komuniste dhe me veshje demokratike, u rrëzua në 97. Erdhi në pushtet në 2005 për shkak të tradhtisë brenda së majtës dhe ky është personi që e lidh sot Shqipërinë moderne me atë të shkuarën”, tha ai.

I pyetur se çfarë mund të bëhet më mirë nga qeveria, Koçi tha se është e nevojshme ndërhyrja në administratë. “Mendoj se ka nevojë për një ndërhyrje më agresive në administratë, gjë që ishte objektiv në mandatin e dytë dhe besoj do të jetë objektiv edhe në këtë mandat. Kanë marrë prioritet disa çështje të tjera si ndershmëria dhe mirë menaxhimi i tenderave dhe po aplikohet teknologjia e inteligjencës artificiale”, u shpreh ai.