Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi gjatë një konference për media se Shqipëria po përgatitet për fazën e re të zhvillimit të NATO-s përmes rritjes së investimeve në mbrojtje, modernizimit të Forcave të Armatosura dhe forcimit të kapaciteteve ushtarake.
Ministri Nufi theksoi se vendimi për zhvillimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë dëshmon besimin e Aleancës ndaj Shqipërisë si një aleate e besueshme dhe një faktor stabiliteti në rajon, duke shtuar se Aleanca po hyn në fazën e re të zhvillimit, të njohur si NATO 3.0, e orientuar drejt rritjes së gatishmërisë, kapaciteteve dhe përgjegjësive të çdo vendi anëtar.
Në këtë kuadër, ministri bëri të ditur se Shqipëria ka hyrë në një trajektore të qëndrueshme të rritjes së investimeve në mbrojtje, duke alokuar 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, pa përfshirë investimet në sigurinë kibernetike, infrastrukturën kritike dhe mobilitetin ushtarak. Sipas tij, këto investime synojnë ndërtimin e kapaciteteve të reja mbrojtëse dhe përmbushjen e angazhimeve në kuadër të Aleancës.
Ministri nënvizoi se modernizimi i Forcave të Armatosura mbetet prioriteti kryesor i Ministrisë së Mbrojtjes, duke përfshirë investimet në teknologji, infrastrukturë, arsim ushtarak dhe zhvillimin e burimeve njerëzore. Interesi për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura është rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit, me një rritje prej rreth 90% të rekrutimeve krahasuar me vitin 2024.
Ndër projektet strategjike, Ministri Nufi veçoi marrëveshjen me kompaninë Fincantieri, e cila pritet të krijojë rreth 500 vende pune në kantierin e Pashalimanit dhe të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve detare dhe transferimin e ekspertizës teknike. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e hapjes së Shkollës Kombëtare të Fluturimit, e cila do të përgatisë pilotë dhe personel ajror sipas standardeve të vendeve aleate të NATO-s.
Duke u ndalur tek situata e zjarreve, ministri bëri të ditur se Forcat e Armatosura janë angazhuar në operacionet në Klos-Hekal, Drizë të Fierit dhe Ishull-Shëngjin, me 104 efektivë dhe mjete mbështetëse, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Ai vlerësoi efektivitetin e monitorimit ajror me dronët Bayraktar për evidentimin e hershëm të vatrave dhe koordinimin e operacioneve në terren.
Në përfundim, Ministri Nufi shprehu mirënjohje për efektivët e Forcave të Armatosura, zjarrfikësit dhe strukturat e mbrojtjes civile për angazhimin në menaxhimin e zjarreve, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe të raportojnë në kohë çdo vatër, për të parandaluar përhapjen e flakëve.










