Nga Ben Andoni
Shkrimi nuk mëton të hedhë dritë mbi procedurat e masave të sigurisë për z. Berisha dhe as synon të sjellë risi në planin e përballjes së tij në të ardhmen me Drejtësinë. Shkruhet thjesht me idenë nëse rasti “Berisha”, ashtu si edhe shumë raste të tjera në historinë tonë, respektojnë kanonet logjike morale të historisë dhe, si mund ta gjykojmë atë, përmes njerëzve që bënë vërtetë historinë.
Për përcaktimin e historisë, ndoshta më afër shkollës së Keimbrixh, qëndron ky përshkrim: ” (… ) është studimi i ndryshimit përgjatë kalimit të kohës dhe mbulon të gjitha aspektet e shoqërisë njerëzore. Zhvillimet politike, sociale, ekonomike, shkencore, teknologjike, mjekësore, kulturore, intelektuale, fetare dhe ushtarake janë të gjitha pjesë e historisë”.
Në temën tonë: A duhet të konsiderohet Berisha, një personazh historik me të gjithë atributet, se bëri ndryshimet e duhura sasiore dhe cilësorë në aspekte të ndryshme në vend? I përjashtojmë kahet e kundërta të politikës. Një përgjigje e menjëhershme racionale pohon: Po. Patjetër. Dy herë u ngjit në postin e Presidentit të vendit (mandati i dytë fare i shkurtër), kur vendi nisi periudhën e ndryshimeve dhe pas katrahurës 1997; dy herë ishte kryeministër, në periudhat kur vendi arriti Liberalizimin dhe anëtarësimin në NATO, përpos shumë gjërave, që ia rendisin tashmë mbështetësit e tij dhe shumë të tjerave që pohojnë sot studiuesit, por ku më shumë i numërohen pasojat morale të vendimeve dhe sjelljeve të tij politike: Zgjedhjet e vitit ’96 dhe përgjakja e Opozitës së atëhershme; ngjarjet e gati Luftës Civile të Vitit 1997; Piramidat financiare të viteve ‘90; qëndrimin mëdyshës në Luftën e Kosovës dhe kontrabandën e asokohe; 21 Janarin dhe viktimat e pafajshme të asaj dite etj.
Po a ka mundur historia jonë moderne ta legjitimojë “Berishën” në pretendimet për arritje të veçanta politike-sociale-ekonomike? Në fakt, në një logjikë të drejtë do të duhen ende vite për të fiksuar një qëndrim të drejtë. E para sepse historia ka nevojë për periudhën e maturimit, e dyta, sepse vetë historianët tanë duhet të lirohen nga emocionet dhe t’i dorëzohen mendimit të kthjellët. Filozofi francez, njeriu i ideve, Michel Foucault e shtjellonte pak më ndryshe si koncept këtë realitet, duke i dhënë historisë atribute morali: “Meqenëse… është mënyra e të qenurit gjithçka që na jepet në përvojë, Historia është bërë elementi i pashmangshëm në mendimin tonë”.
Veçse në rastin tonë, historia konsiderohet shpesh si e papërfillshme dhe bëhet e tillë si nga vlerësimi bashkëkohor por edhe interpretimet, sidomos të mbështetësve të Berishës. Qoftë edhe nga kundërshtitë, që lidhen me përkufizim fare të ngushtë të “historisë”, si në rastin tonë të rëndomtë. Mëtimet nga forcat tona politike ofrojnë interpretime të veçanta të “historisë”, si mënyrë për të siguruar të ardhme të caktuar për interesat e tyre, një mënyrë për të stabilizuar ose minuar atë që Foucault i referohet si: “një sistem sundimi”. Ndërkohë nga ekuacioni hiqen me dashje konceptet për moralin politik dhe mënyrën sesi kjo ndikon për historinë. Duket se publiku ynë nuk lirohet dot për një shqyrtim shumë të kujdesshëm dhe të ftohtë për historinë. Më shumë akoma prej produktit të institucioneve, studiuesve, individëve dhe kuptohet politikanëve që e shfrytëzojnë thjesht për deliret dhe projeksionet e tyre. Jo më kot: Cilido lider, që ka qenë në fuqi në Shqipëri, për mbështetësit e tij i ka poseduar të gjitha cilësitë e liderit dhe tiparet e moralit dhe historia e bërë përmes tij konsiderohet fare e drejtë. Paçka se historia në shumë raste për individët politikë është bërë thjesht në interesin e tyre. “Harku i universit moral është i gjatë”, u kujtonte ndjekësve të tij Martin Luther King, “por ai përkulet drejt drejtësisë” (Luther King Jr., 1968). Fidel Castro, një personazh më i hidhur, por që ndërtoi narrativë sfiduese historike në shekullin e shkuar kujtohet kur u tha gjyqtarëve që e dërguan në burg në vitin 1953 se dënimi i tyre s’kishte fare rëndësi, sepse “historia do të jetë ajo që do më shfajësojë” (Castro, 1953).
Në Shqipëri do të kujtohen fjalët e fundit të disa prej klerikëve dhe patriotëve tanë qoftë për mesazhin historik, por edhe konotacionet politike, që i nënshtrohen moralit të lartë dhe ku dëshmohet pafajësia, pohohet adhurimi për Shqipërinë dhe se historia do të ndëshkojë me patjetër, qëndrimet e pamoralshme politike të bashkëkohësve. Dhe, vërtetë koha do t’u jepte të drejtë. E habitshme se sot, këto raste që glorifikohen, nuk shqyrtohen ftohtë, bashkë me narrativat tona historike dhe morali që përshtatëm derisa u përcollën në varr. Historia duket se nuk na ndihmon ose më saktë ne nuk nxjerrim mësim prej saj, siç është në postulatin klasik të Hegel. Dhe, kjo nënkupton se jemi të destinuar, ne si shqiptarë, por edhe si individë, t’i përsërisim gabimet tona. Kjo po ndodh sot me Berishën, nga ai vetë, që nuk po e bën dot përballjen direkt me drejtësinë, me synimin të mbesë në histori duke ia lënë asaj gjykimin moral për të! Ata, që po e shohin me tifozllëk këtë proces të tijin me drejtësinë, ndahen në ata që e kundrojnë si frikë dhe të tjerët si trimëri. Përndryshe, njerëzit e afërt dhe mbështetësit e Berishës, nuk e ndajnë dot karakterin e tij politik dhe peshën e moralit në histori, ku kriteri i vetëm mbetet përballja me interesin e vendit dhe respekti ndaj vlerave më të larta të tij.
Në të gjithë këta shembuj, komenti i historianit gjerman Reinhardt Koselleck për Emanuel Kant është më i përshtatshëm për sensin tonë të gjykimit: “Kanti, thotë ai, ofron ‘historinë si një shtëpi të përkohshme korrigjimi për moralin’”, citon Joan Scott në studimin “The Political Uses of History”, nga e cila kemi shkëputur disa teza dhe shembujt e mësipërm.
Kuptimet e ndryshme të “historisë”, sipas Scott, duhet t’i lexojmë jo si përcaktime objektive apo parashikime përfundimtare, por si programe politike që imagjinojnë të ardhmen, të cilën mund ose s’mund të duam të jemi pjesë. Interpretimi ynë i historisë, me fjalë të tjera, është në vetvete një zgjedhje politike, etike dhe ndoshta morale, ku bëhet diferenca. Sak ky është tashmë momenti i sotëm i Berishës, që të përballej realisht me historinë.
Duke shkuar te rasti i SHBA-së dhe sulmi mbi Kapitol, historia, në këtë rast në kanonet e saj shkon për të arritur përgjegjësinë ligjore dhe morale, për të sjellë thyerësit e ligjit para drejtësisë në interes të sigurimit të së ardhmes së demokracisë kundër atyre që do synonin ta minonin (Scott, 2022). Të mendosh se një shtet që është munduar ta eksportojë demokracinë për dekada me radhë, tashmë mezi po mundohet ta mbajë dhe ta zbatojë si duhet në vendin e vet. Edhe pse në rastin e ish-presidentit Trump, tregoi nivel tejet të lartë, por ende sfidues. Do kujtohet në histori, kryetarja e Konferencës Republikane të Dhomës së Përfaqësuesve, Liz Cheney që e shprehu kështu, këtë realitet që afrohet me temën tonë: “… ua them këtë kolegëve të mi republikanë që po mbrojnë të pambrojtshmin: Do të vijë një ditë kur Donald Trump të ikë, por çnderimi juaj do të mbetet”.
Gjykimi i historisë është ndëshkues sa i përket konceptit moral dhe neve po vuajmë ende që s’kemi një qëndrim të caktuar të pranuar gjerësisht për periudhat e mëparshme historike, që do të thotë jemi ende të papërcaktuar për regjimin e Zogut dhe atë të Enver Hoxhës, duke mos i përcjellë e lënë në të kaluarën, si një mënyrë për ta refuzuar njohjen e trashëgimive të keqe të tyre (bashkë me strukturat që i mundësuan ato) në të tashmen. Dhe, çka është më e rëndësishme, nëse shoqëria e sotme do arrijë të tregojë si duhet se: ajo që do të bëhet dhe gjykohet drejtësisht me Berishën do ofrojë një lloj garancie ose të paktën një premtim, se veprimi i ndërmarrë tashmë për të do të çojë në mënyrë të pashmangshme në përparimin e shoqërisë shqiptare. Referuar historianëve sot, gjykohet se premisa themelore e arritur është se historia në fund të fundit lëviz në një drejtim progresiv, që do të thotë se respekti i moralit politik do të jetë treguesi i vërtetë për Drejtësinë, ndaj të gjithë strehës së sotme të Berishës, por edhe stadi ku ndodhet sot karakteri i shoqërisë shqiptare. (Homo Albanicus)